Edon Hasani është gati. Lojtari shkodran që deri para takimit me Partizanin ishte titullar, mësohet se dje ka pasur një takim me trajnerin Emanuel Egbo menjëherë pas stërvitjes.
Lojtari ia ka bërë të qartë trajnerit që është gati për të qenë disa minuta në fushën e lojës, ndërsa Egbo qëndrimin e tij për shkodranin e shprehu haptazi që Hasani do të jetë gati javën e ardhshme. Trajneri gjatë gjithë këtyre kohëve e ka lënë në tribunë Hasanin dhe zor se shkodrani mund të ketë ndonjë minutë këtë javë.
Gjithsesi, lojtari ka lënë pas dëmtimin që e mbante jashtë ekipit prej sfidës me Kukësin ose, më saktë, dy muaj të plotë. Futbollisti i bardhebluve është gati për të luajtur, por tani situata është pak delikate. Skuadra po fiton dhe Hasani, golashënuesi i skuadrës, është “patate e nxehtë” për Emanuel Egbonë.
Një hall për mirë që nigeriani duhet ta zgjidhë. Vetë ai ka thënë që skuadrën fituese nuk e ndërron. Sigurisht që ka të drejtë, por me kapitenin, Osmanin dhe Hasanin në stol, tani Tirana ka luksin për të zgjedhur. Tani fillon e vështira te bardheblutë.