Me ardhjen e Xhenaro Gatuzos në stolin e Napolit, ka rilindur. E pranon edhe vetë Elseid Hysaj, i cili ka folur në një intervistë ekskluzive për rrjetin “SKY”, për mikrofonat e të cilit ka shpjeguar situatën e tij, duke deklaruar: “Me Gatuzon kanë ndryshuar shumë gjëra. Përpara se të vinte ai, në dhomat e zhveshjes, por edhe jashtë tyre kishte shumë probleme. Këto janë aspekte që të humbasin kohë, por me Gatuzon jemi më të përqendruar.

Napoli aktual ngjason shumë me trajnerin e ri, i cili pretendon 110 për qind gjithmonë, ndaj na detyron të stërvitemi fort. Duam të përmirësojmë renditjen tonë dhe ndaj Sampdorias do të bëjmë gjithçka për të marrë tri pikët. Jemi Napoli e nuk duhet t’i druhemi asnjë kundërshtari”. Edhe pse pa përmendur emra, thumbimet drejt Ançelotit janë të dukshme. Me ish-teknikun raporti nuk ka qenë kurrë ideal, aq më tepër që ai i preferonte edhe lojtarë jashtë roli duke snobuar jo në pak rast Hysajn.

Profesionalizmi nuk jep kohë për mirë, naj shqiptari hedh pas të kaluarën dhe përqendrohet te pjesa e mbetur e sezonit. Napoli ka afruar disa futbollistë, për të cilët Hysaj tha: “Lobotka dhe Deme janë dy futbollistë shumë të fortë. Cilësitë e tyre do të jenë një ndihmesë për të gjithë në fushën e lojës. Ata dinë të mbulojnë hapësirat dhe mendoj se na nevojiteshin futbollistë të tillë në grup, aq më tepër me ndeshjet e shumta që na rezervon kalendari”.

KUMBULLA E POLITANO
Elozhe edhe për Politanon nga ana e kapitenit të kombëtares shqiptare. Lidhur me ish-lojtarin e Interit që për 20 milionë euro iu bashkua Napolit, Hysaj deklaroi: “Mateo është një futbollist i madh, ia dimë vlerat. Mbase do t’i duhet pak kohë të ambientohet, por kur të arrijë në formën e duhur, do të jetë i rëndësishëm për lojën tonë e do të na ndihmojë shumë.”. Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, në skuadër do të ketë edhe Amir Rrahmanin, por nga intervistuesi është pyetur lidhur me Marash Kumbullën.

Mbrojtësi i Veronës përflitet për një kalim te Napoli në merkaton e verës, një lëvizje që gjen edhe “sponsorizimin” e Hysajt që e vlerëson bashkëkombësin që po zhvillon një sezon për kornizë me Veronën. “Kumbulla është një lojtar që vlen shumë, por për t’u rritur edhe më tej ka nevojë për besim. Si çdo i ri, edhe ai stepet disi kur i duhet të japë diçka më shumë. I këshilloj të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të punojë, pasi për mendimin tim e pret një e ardhme e ndritur përpara”, përfundoi fjalën e tij për “SKY” Elseid Hysaj.