Erald Çinari do t’i shtohet një kolonie të madhe futbollistësh shqiptarë në kampionatin turk të futbollit. Sulmuesi i cili në sezonet e fundit ka veshur fanellën e Partizanit, ka arritur akordin e plotë me klubin e Samsunspor në kategorinë e dytë turke dhe që nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e atij klubi.

Mediat turke prej ditësh kanë folur për negociatat intensive mes palëve, por tashmë kanë zbuluar se ditën e martë futbollisti do të udhëtojë drejt Turqisë për të nënshkruar marrëveshjen me klubin e tij të ri.

Atij i mbaron kontrata me Partizanin ndaj do të jetë lojtar i lirë për të finalizuar këtë transferim pa ndonjë pagesë ndaj klubit kryeqytetas.

Të njëjtat burime theksojnë se Çinari do të firmosë një kontratë trevjeçare dhe pritet që të jetë një nga titullarët e skuadrës së Samsunspor në të ardhmen, duke tentuar që ta ndihmojë të ngjitet në elitën e futbollit turk, gjë që nuk ia doli ta bënte këtë edicion duke u eliminuar në play-off.

Kështu, Çinari do të jetë rival në këtë edicion me emra si Abazaj, Rroca, Et’hemi, Selmani, Çekiçi apo Domgjoni, për të arritur këtë objektiv në futbollin turk. /vipsport/