Shkruar nga Gjergj KOLA
Sulmuesi shkodran Sabah Kerjota ka qenë sërish sot në fushë për disa minuta edhe në ndeshjen e rradhës të Hearts duke kontribuar në fitoren e tij të rradhës. Ai është futur në fushë nga ana e trajnerit Mcinnes në minutën e 75-të në vend të futbollistit Braga.
Ndonëse luhej ndaj skuadrës së vendit të fundit- Livingston, Hearts e ka patur jo pak të vështirë të fitojë. Skuadra e Kerjotës e ka nisur mirë ndeshjen dhe ka shënuar që në minutën e 18-të me anë të Halkett dhe kjo krijoi përshtypjen se do të kishte edhe gola të tjerë dhe do të ishte një fitore e thellë.
Por në fakt nuk do të kishte gola të tjerë dhe gjithçka u mbyll me shifrat e ngushta 1-0. Por kjo i ka mjaftuar Hearts për të marrë një trepikësh me shumë vlerë. Ai ka përfituar edhe nga humbja e Celtic 1-3 ndaj Rangers dhe tashmë diferenca me këto dy skuadra ka shkuar në 6 pikë.
Skuadra e futbollistit shkodran aktualisht pas javës së 20-të të kampionatit ka arritur të grumbullojë 44 pikë, ndërsa dy rivalet e saj kanë nga 38 secila.
Ndërkohë ndeshja e sotme për Sabah Kerjotën është e 10-ta me Hearts dhe ndonëse në të gjitha ka qenë si zëvendësues sërish është një tregues se stafi teknik i beson aftësitë të tij. Kjo pavarësisht se për të është sezoni i parë që luan në Scottish Premiership, një kampionat i ri për të dhe padyshim që i duhet kohë për t’u përshtatur ngaqë ai ka ardhur nga kategoritë e ulëta të futbollit italian. Gjithsesi janë aftësitë e tij ato që e bëjnë të jetë në vëmendje dhe me siguri që do t’i japë një dorë Hearts në pjesën e mbetur të sezonit, në rrugëtimin e tij drejt titullit kampion.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


