Marash Kumbulla është një nga të rinjtë më premtues të skuadrës së Veronës. Aktualisht, veronezët janë duke zhvilluar fazën përgatitore në Austri, ndërsa me ekipin është grumbulluar edhe mbrojtësi shqiptar, Kumbulla. Kumbulla së bashku me disa të rinj të tjerë kanë spikatur dhe kanë marrë komplimentet, duke u cilësuar si e ardhmja e skuadrës.

19-vjeçari, i cili në sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës Primavera, tashmë kërkon të shfaqë cilësitë e tij edhe në ekipin e parë. Sakaq, trajneri Ivan Juriç e ka provuar në miqësore për të kuptuar se çfarë mund t’i ofrojë mbrojtësi.

“Me mua luan kush e meriton, nuk e shikoj kartën e identitetit”, ishin fjalët e teknikut të Veronës. Një arsye më shumë për Kumbullën, për të dhënë maksimumin në seancat stërvitore dhe në miqësore, teksa në këtë formë shumë shpejt mund të mbërrijë të bëhet pjesë edhe e Kombëtares./VipSport/