Futbollistja shkodrane Alma Hilaj jo vetëm po luan tashmë rregullisht në Serinë A italiane në rradhët e ekipit të Florentias, por tashmë po shndërrohet edhe në protagoniste të saj.

Në ndeshjen e sotme ndaj ekipit të Bolonjës, të vlefshme për turneun e Viarexhios, Hilaj ka shënuar në minutën e 90-të duke i dhënë fitoren ekipit të saj në këtë ndeshje me rezultatin 3-2.

Gjithçka ka qenë duke shkuar drejt barazimit 2-2 por në fund, ka qenë një kros i Barollos që është shfrytëzuar nga lojtarja e kombëtares shqiptare e cila ka goditur saktë me kokë duke mposhtuar portieren Lauria.

Në ndeshjen e parë, Florentia është mundur nga Sassuolo ndërkohë që ndeshjen e rradhës, ekipin e shkodranes Alma Hilaj, do të përballet me Juventusin.

E rëndësishme është që Alma Hilaj tashmë po shndërrohet çdo ditë e më shumë në protagoniste të kësaj skuadre, duke treguar vlerat e saj dhe padyshim që ky është një sukses për 20 vjeçaren shkodrane që deri para tre sezonesh ka qenë pjesë e “Juban Danja”, ekip ku është formuar si sportiste.
© shkodrasport.com