Në Shkodër, tifozë e drejtues mendojnë se Vllaznia tashmë do ta ketë më të lehtë për të ndryshuar situatën jo të mirë të dy javëve të para të kampionatit. Kjo nisur edhe nga shorti i favorshëm i kampionatit në javët e ardhshme. Në dy ndeshjet e  ardhshme do jenë dy ndeshje në shtëpi ndaj Luftëtarit dhe ndaj Apolonisë e më pas një transfertë në Peqin ndaj Shkumbinit vendas. Llogaritë kanë filluar të bëhen të tilla që në fund të javës së pestë të kampionatit, Vllaznia do ketë grumbulluar 10 pikë. Por nuk mendon krejt kështu trajneri i kësaj skuadre Shpëtim Duro.

Ai është i mendimit se nuk ka ndeshje të lehta sepse secila ka vështirësitë e veta, madje edhe kur luhen në Shkodër, aq më tepër që ndaj gjirokastritëve do luhet edhe pa tifozë. Në një prononcim për “Sporti Shqiptar” tekniku kuqeblu do thoshte: “Unë nuk jam dakord me idenë e krijuar se tashmë kemi short të favorshëm dhe do t’i kemi pikët e sigurta. Të mos harrojmë se asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Duke filluar nga kjo e para ndaj Luftëtarit. Kemi të bëjmë me një kundërshtar që luan mirë futboll, ka arritur në ndeshjen e fundit një fitore të thellë ndaj skuadrës nënkampione të vendit dhe si e tillë ajo do vijë edhe në Shkodër për të marrë pikë. Në kushte të tilla kurrë nuk mund të themi se do luajmë në fushën tonë dhe pikët janë të sigurta. Aq më tepër kur në javët e para kemi shfaqur jo pak probleme në lojën tonë prandaj më parë duhet t’i korigjojmë këto gabime dhe duke luajtur mirë, rrjedhimisht do vijnë edhe rezultatet. Të mos harrojmë se luajmë edhe pa tifozë ndaj Luftëtarit dhe ata janë një ndihmesë e madhe për Vllazninë. Kam parasysh këtu mbështetjen që tifozët na dhanë në takimin me Skënderbeun dhe për të cilin do më mbetet peng gjithë jetën që nuk ua shpërblyem me fitore”. Ai e thotë hapur. Më shumë duhet luftuar për të fituar në fushë sesa me fjalë. Me fjalë Vllaznia e nisi edhe këtë kampionat si pretendente kryesore për titullin kampion por mjaftuan dy javë dhe filluan “devijimet” e para teksa askush në skuadër nuk e përmend më titullin kampion por thjesht thuhet se skuadra do jetë një nga pretendentet kryesore. është e qartë se në Shkodër ka shumë presion ndaj ekipit të futbollit por në fakt për skuadrën aktuale nuk ka patur asnjëlloj presioni deri tani. Drejtuesit e kanë lënë krejtësisht të qetë. Tifozët po ashtu. Thjesht jepen mendimi për nisjen jo të mirë dhe kaq. Me pak kujdes gjërat mund të ndryshojnë. Kuptohet duke shfrytëzuar kalendarin e favorshëm që ka skuadra. Pa u ndalur shumë tek ato që thotë Duro, Vllaznia duhet patjetër të shfrytëzojë kalendarin e favorshëm që ka në javët e ardhshme. Sepse nëse nuk fiton në “Loro Boriçi” ndaj Luftëtarit dhe Apolonisë, nuk ke çfarë llogarit pastaj për pretendime të mëtejshme të saj. Edhe një vend në Kupat e Europës do ishte një objektiv- utopi. Skuadrat e tjera pretendente nuk kanë lënë asnjë pikë në dy javët e para dhe për rrjedhojë diferenca ka filluar të bëhet në renditje. Nëse shkodranët lejojnë thellimin edhe më tepër të saj, do ishte shumë e vështirë për t’i arritur ato.
Gjergj KOLA