Një nga blerjet më të mira të Vllaznisë në merkaton e verës, rumuni Kristian Dragoi, mendon se skuadra shkodrane nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në dy ndeshjet e para të kampionatit vetëm për mungesë fati. Ai ka shumë besim tek skuadra, edhe për mënyrën e të luajturit duke deklaruar se edhe golat që ai ka premtuar do vijnë. Këtë gjë ai e ka shprehur në konferencën e sotme për shtyp kur ka deklaruar: “Sigurisht që një pikë e marrë në dy ndeshje është shumë pak. Ne ishim përgatitur për të bërë më mirë dhe besoj se ka qenë thjesht mungesë fati. Kemi bërë gjithçka mirë në stërvitje dhe gjatë fazës përgatitore. Ka patur seriozitet nga të gjithë sepse në fakt kjo është detyra jonë dhe për këtë paguhemi prandaj dhe unë besoj se kthesa do vijë shpejt”. Ndërkohë, i pyetur për mungesën e tifozëve dhe ndeshjen e së dielës ndaj Luftëtarit, mesfushori rumun që luan për Vllazninë ka thënë: “Sigurisht që kthesa duhet të vijë që në ndeshjen e rradhës me Luftëtarin sepse nuk kemi rrugë tjetër. E kam të qartë se do luajmë pa praninë e tifozëve tanë dhe kjo do jetë një minus I madh. Gjatë ndeshjes me Skënderben tifozët kanë qenë të mrekullueshme dhe mungesa e tyre do ndikojë megjithatë mendoj se ndeshjen do ta fitojë patjetër Vllaznia”.Për Dragoi skuadra po punon mirë edhe në stërvitje dhe për rrjedhojë rezultatet nuk do mungojnë duke nisur nga takimi i kësaj fundjave. Ai është ndër futbollistët më të mirë të Vllaznisë në dy ndeshjet e para dhe ka premtuar se do vazhdojë të bëjë më të mirën për këtë skuadër ngaqë në Shkodër ndjehet mjaft mirë.
www.shkodrasport.com