
Me mbarimin e ndeshjeve të fazës së dytë të kampionatit, është përcaktuar përfundimisht edhe renditja e skuadrave dhe njëkohësisht kalendari i fazës së tretë të kampionatit.Vllaznia e renditur e nënta, ka mësuar edhe kundërshtarët teksa siç dihet 6 ndeshje do ketë në transfertë dhe vetëm 5 në Shkodër, ngaqë bën pjesë në gjashtëshen e dytë të skuadrave. Duke e parë kalendarin, kuqeblutë do luajnë në Kukës, në Laç, në Lushnjë, Krujë, në kryeqytet me Tiranën dhe në ndeshjen e parafundit me Besën në Kavajë. Mundësia për të marrë pikë ekziston në çdo ndeshje por kuptohet që vëmendja kryesore duhet të jetë e përqendruar tek sfida e javës së 27-të në Lushnjë, ndaj skuadrës vendase e cila rrezikon shumë rënien. Më pas, duhet tentuar patjetër marrja e pikëve në Krujë me Kastriotin, edhe kjo një skuadër thuajse e rënë nga kategoria, po ashtu edhe ndaj Tiranës dhe sidomos në ndeshjen e parafundit me Besën. Nëse ndodh që të marrë 6 apo shtatë pikë në ndeshjet në transfertë, do ishte një mrekulli. Sa i takon ndeshjeve që do të luajë në “Loro Boriçi”, ajo do presë në javën e 24-të, pra të shtunën që vjen Partizanin. Ky i fundit pretendon Europën megjithatë referuar ndeshjeve që Vllaznia ka zhvilluar me këtë ekip, patjetër që duhet ta mundë. Më pas, do jetë mysafir që deri në fund të marsit mund ta ketë hipotekuar titullin dhe në Shkodër mund të vijë pa shumë pretendime. Rradha për të luajtur në “Loro Boriçi” do jetë pastaj për Bylisin, Flamurtarin dhe në javën e fundit me Teutën. Në kushte të tilla, nuk përjashtohet mundësia që të merren të plota 15 pikët dhe nëse ndodh kështu, me 45 apo 46 pikë në fund të kampionatit, skuadra shkodrane mund të jetë e shpëtuar. Por a mund të ndodhë kështu vërtetë? Këtë e di skuadra. Ja kalendari i fazës së tretë:
Faza e tretë:J23- 12 mars Kukesi-Vllaznia
J24- 15 mars Vllaznia-Partizani
J25- 22 mars Laçi-Vllaznia
J26- 29 mars Vllaznia-Skendebeu
J27- 05 prill Lushnja-Vllaznia
J28- 12 prill Vllaznia-Bylis
J29- 19 prill Kastrioti-Vllaznia
J30- 26 prill Tirana-Vllaznia
J31- 30 prill Vllaznia-Flamurtari
J32- 03 maj Besa-Vllaznia
J33- 10 maj Vllaznia-Teuta
© shkodrasport.com