Kampionati spanjoll po synon të kthehet këtë vit përsëri në superfuqinë ekonomike të viteve të kaluara, duke i rrëmbyer Anglisë titullin që mbante prej disa sezonesh, pasi paguante shuma të mëdha për lojtarët si meritë e të ardhurave të siguruara nga e drejta televizive.

Klubet spanjolle duket se kanë arritur të shkurtojnë disi diferencën sa u përket fitimeve dhe me shifrat që po shpenzojnë aktualisht, po dominojnë përsëri futbollin europian.

Brenda 33 ditëve të fundit, në Spanjë janë shpenzuar pak më shumë se 830 milionë euro për afrimin e 66 lojtarëve nga klube të ndryshme, ndërsa janë regjistruar edhe 67 shitje që kanë regjistruar të ardhura për një total prej 565 milionë euro.

Një ritëm i jashtëzakonshëm kur mendon se të gjithë klubet e mëdha kanë ende në plane të bëjnë blerje të tjera gjatë korrikut dhe parashikohet se do të kalohet pa problem shifra e 934 milionë eurove të vitit të kaluar.

Për momentin, La Liga kalon me diferencë çdo kampionat tjetër: Bundesliga (518 milionë euro), Seria A (533), Premier Liga (546), Liga 1 (171) dhe Liga NOS (74). Mjaftojnë 290 milionë eurot e shpenzuar nga Real Madrid për të kaluar kampionatin portugez e francez së bashku. Vitin e kaluar, Anglia ishte vendi dominues, me më shumë se 1,3 miliard euro të shpenzuara gjatë merkatos së verës./vipsport/