Humbja e Arsenalit ndaj Njukasëll me rezultatin 1-0 ka shkaktuar polemika të shumta. Një disfatë kjo për “Topçinjtë”, që ka ardhur nga një gol i dyshimte i shënuar nga Gordon në pjesën e dytë.
VAR ka bërë një kontroll të gjatë prej disa minutash për të verifikuar nëse topi kishte kaluar vijën fundore, nëse kishte pozicion jashtë loje dhe një faull gjatë aksionit.
Pas kontrollit të gjatë, është marrë vendimi për ta konsideruar golin të rregullt duke shkaktuar zemërimin e Topçinjve dhe trajnerit Arteta, i cili nuk është përmbajtur në intervistën e dhënë pas ndeshjes.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, Arteta është ndjerë i turpëruar në lidhje me atë çka ndodhi duke u shprehur: “Është e turpshme ajo që ndodhi dhe vendimi për ta dhënë golin të rregullt. Si mund të jepet ky gol në Premier Ligë. Ne themi që kjo Ligë është më e mira në botë. Jam prej 20 vitesh në këtë vend dhe sot ndihem i turpëruar. Është një turp absolut”.