Portieri i Vllaznisë, Alen Sherri, ka mbetur i zhgënjyer nga stafi i Kombëtares U-21. I thirrur që të ishte titullar në këtë skuadër, Sherrit i është kërkuar që të mos jetë pjesë e kësaj përfaqësueseje në çastet e fundit.

Mësohet se drejtuesit e skuadrës kanë menduar që të thërrasin portierin Elhan Kastrati dhe t’ia besojnë atij mbrojtjen e katërkëndorit në ndeshjen e sotme eliminatore që përfaqësuesja kuqezi do të luajë në Estoni.

Kastrati ishte në Izrael me Kombëtaren A ku u thirr pas largimit të Alban Hoxhës që u dëmtua. Sherri ka mbetur shumë i zhgënjyer nga kjo zgjedhje, ndërsa thotë se të tre portierët që janë pjesë e Kombëtares U-21, së bashku nuk kanë as gjysmën e minutave të aktivizimit të gardianit shkodran.

Elhan Kastrati, Gentian Selmani dhe Mario Dajsinani janë aktualisht tre portierët e grumbulluar nga trajneri Alban Bushi. Kastrati ka luajtur vetëm 1 ndeshje me Peskarën në Serinë B, Selmani tetë takime, ndërsa Dajsinani asnjë ndeshje me Skënderbeun.

SHERRI

“Të jem i sinqertë, jam mërzitur nga ai anashkalim që m’u bë në Kombëtaren U21. Nuk e meritoja nje gje te tille”- eshte shprehur ai.