Humbja e radhës me Kastriotin i ka minimizuar shanset e qëndrimit në elitë për Dinamon, për të mos thënë se i ka zeruar ato, edhe pse jo matematikisht.
Presidenti i bluve, Adrian Bardhi, ka folur për “Panorama Sport” pas kësaj disfate për atë që do të ndodhë në vazhdim të kampionatit dhe më tej, duke theksuar se do ta bëjë skuadrën nga e para, ashtu siç i takon Dinamos.
Ai ka pranuar se ky sezon është një dështim dhe se çdo gjë do të riorganizohet për t’i kthyer këtij klubi dinjitetin. Nuk kanë munguar kritikat për lojtarët dhe ata që ndërtuan ekipin.
“Këto humbje radhazi, bashkë me këtë të sotmen (djeshmen), kanë treguar se janë bërë shumë gabime në ndërtimin e skuadrës dhe pikë. Ka një kundërsens, në fakt, sepse unë desha të bëja diçka të mirë, të isha sa më korrekt në çdo gjë. Jam munduar të plotësoj çdo kërkesë që ka pasur skuadra.
Investuam në fillim për një Dinamo kampione, por ja ku jemi tani. Ky sezon është një dështim, e pranoj dhe pikë. Është ajo që e kam thënë edhe më herët për ju, se është shpërdoruar besimi im. Kjo skuadër nuk ka dinjitet, nuk ka karakter, këta janë lojtarë palaço.
Është një dështim me kosto, por çfarë t’u bëjmë atyre që e ndërtuan skuadrën…? Çfarë do të ndodhë tani? Nëse do të biem, do të investoj për të ndërtuar një skuadër me themele të forta, të konsoliduar dhe që të premtojë për të ardhmen”, u shpreh Bradhi.