Vllaznia e femrave ka barazuar sot 1-1 ne Fier ndaj Apolonise dhe kjo e fundit e ka shnderruar ne feste kete rezultat te arritur ndaj 8 here kampiones se vendit.
Por krejt ndryshe eshte situata ne kampin shkodran. Presidenti i saj Lazer Matija permes nje deklarate te bere per “Shkodra Sport” ngre akuza te forta ndaj personave te caktuar, te cilet nuk ka deshire t’i permend me emra por qe ne ambjentin sportiv i kuptojne te gjithe.
“Ajo që më shqetëson shumë nuk është barazimi i sotëm, por mënyra si po funksionon futbolli i femrave në Shqipëri. Në vend që të gjithë të punojmë për ta çuar përpara atë, ka persona të caktuar që po bëjnë çmos për ta shkatërruar. Po mundohen ta bëjnë këtë gjë përmes mënyrave të ndryshme, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen tek arbitrat apo dhe në gjëra të tjera.
Janë njerëz që nuk kanë bërë asgjë të mirë në jetën e tyre për futbollin ndërsa tani po mundohen të shkatërrojnë edhe atë të femrave. Po e bëjnë duke patur mbase edhe mbështetjen e drejtuesve të caktuar të Federatës ose më e pakta, duke folur në emrin e tyre.
Këta njerëz gëzojnë që barazuan me Vllazninë në mënyrë të pandershme por qëllimi i tyre nuk duhet të jetë ky. Ata duhet të punojnë fort për ta mundur këtë Vllazni dhe për të shkuar e për t’u përfaqësuar më denjësisht se ç’kemi bërë ne. Por nuk e kanë këtë qëllim. Ata i bezdisin sukseset e Vllaznisë dhe po bëjnë çmos për ta ndalur. Por nuk do ia dalin.
Megjithatë unë dua t’i kujtoj edhe Federatës se duhet t’u thotë STOP këtyre njerëzve. Askush nuk mundet të luajë me investimin e bërë te Vllaznia prej një dekade. Në fund të fundit, Federata duhet të krenohet me atë se çfarë kemi arritur si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare dhe të na mbështesë në projektin tonë për ta çuar përpara këtë futboll”- ka deklaruar presidenti Matija per gazeten “Shkodra Sport”.