Trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, ka shpërthyer pa u kursyer ndaj gjyqtarit Erjon Bastari, por edhe sektorit të garave. Sipas tij Flamurtari e meritonte të ishte në Superiore, por një “bastard” duke bërë edhe lojëra fjalësh me mbiemrin e gjyqtarit u mohoi mundin e djersën e lojtarëve, si dhe zhvlerësoi investimin e klubit.
Ja prononcimi i trajnerit Eqerem Memushi për “MCN” pas ndeshjes në Laç:
“Keqardhja më e madhe është sesi zhvillohen garat. Përgjegjës kryesor është sektori i garave. Është një krim i madh të tallesh me investimin e gjithë vitit. Një investim i madh dhe bëhet fjalë për Flamurtarin një ekip e qytet me tradita në futbollin shqiptar dhe që i ka dhënë shumë këtij sporti. Kjo ndeshje duhet të ishte ndërprerë, pasi takimi u ndërpre dy-tre herë dhe të shkonte direkt 0-3 për Flamurtarin. Flamurtari e meritonte të ishte në superiore, pasi e dominoi totalisht të gjithë lojën.
Në 90 minuta nuk u dorëzuam asnjëherë, barazuam, kishim rastet tona, por kjo gjë varet nga një treshe gjyqtarësh që ishin kamikazë. Këta janë njerëz që tallen me bukën e fëmijëve tanë dhe me djersën e mundin e sakrificën e çunave që vijnë për tu argëtuar dhe luajtur futboll. Për mua sot (dje) kjo nuk ishte garë. Falënderoj çunat e mi, të jenë krenarë dhe të largohen me kokën lart. E demonstruan se jemi ne skuadra që e meritonim të shkonim në Superiore.
Për mendimin tim Flamurtari e interpretoi lojën në mënyrë të shkëlqyer, në pjesën më të madhe të lojës ishim pranë portës së Laçit dhe rrezikut për të shënuar. Personalisht jam shumë i kënaqur me ekipin. Të vijë një ekip që brenda dy javësh bën 5 takime dhe dy herë luan me kohë shtesë dhe një bastard ashtu siç ka mbiemrin apo ku di unë të vijë qe të tallet me djersën, gjakun dhe krenarinë dhe nderin e një qyteti. Kjo është e pafalshme. Më vjen mirë që takimi u transmetua direkt dhe e ka parë i gjithë opinioni shqiptar. Besoj se të gjithë janë të ndërgjegjshëm se kujt i takon që të ishte në Superiore.
E ardhmja? Kjo nuk ka rëndësi nëse jam në pankinë, pasi Memushi e ka në zemër Flamurtarin. Mendoj se kemi bërë një detyrë të shkëlqyer karshi qytetit tonë, atyre që na mbështesin dhe sot na ndoqën përsëri e që i falënderoj nga zemra. Uroj që ata asnjëherë të mos i ndahen skuadrës së zemrës së tyre”.