Një nga trajnerët me më shumë trofe në Kosovë ka refuzuar Kukësin. Bëhet fjalë për Afrim Tovërlanin, i cili në emisionin “Sport Total” në “Kohavizion”, ka zbuluar jo vetëm këtë ofertë, por edhe të “palarat” e futbollit shqiptar.

“Vitin e kaluar isha në bisedime me presidentin Safet Gjici për të marrë drejtimin e Kukësit. Ai pretendonte me -12 pikë më pak ta arrinte Skënderbeun për të dalë kampion. Unë i tregova që nuk ka mundësi dhe kështu rezultoi në fund.

Pastaj erdhi një trajner austriak (Peter Pakult), të cilin e përzuri pas ndeshjes së parë ndërkombëtare. Mendoj se futbolli kosovar është shumë më i civilizuar se në Shqipëri”, deklaroi fillimisht Tovërlani.

Më tej, ai theksoi se në Shqipëri 11-shen e bën presidenti dhe që pjesa më e madhe e ndeshjeve janë të trukuara. “Nuk njoh ndonjë trajner në Shqipëri që e bën vetë përzgjedhjen e formacionit. Atje bosi (presidenti i klubit) vendos për të gjitha, madje mund të them se një pjesë e madhe e ndeshjeve janë të trukuara”, shtoi ndër të tjera tekniku, i cili ka fituar 4 tituj në Kosovë.