Kukësi-Laçi ishte sfida e dytë e ditës së sotme në Superligën shqiptare. Ndeshja e javës së 30-të të Superligës e luajtur në stadiumin e ri “Kukësi Arena”, u mbyll në barazim 0-0 dhe të dyja ekipet ndan nga një pikë. Në fund të sfidës për “Gol pas Goli”, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro u shpreh:
“Morëm atë që donim. Tani bëhen edhe llogaritë, sot objektivi ishte të fitonim, por edhe barazimi është rezultat i mirë. Kishim shanse edhe për ta fituar këtë takim. Mazrekaj bëri një ndeshje të mirë dhe ishte i rëndësishëm për skuadrën.
Ishte presioni, ambienti dhe të gjithë mendonin se Kukësi do të fitonte, por nuk fitohet me festa dhe inagurimi. Ishte kënaqësi që luajtëm në një stadium të tillë. U thashë çunave që ne duhet të luajmë futboll dhe të mos mendojmë për faktorët e tjerë”.
Stadiumi Kukës Arena? “Mezi e prisnim, janë stadiumet që të rrisin personalitetin. Kishin ardhur shumë tifozë, personalitet dhe është një gjë e bukur për futbollin tonë që ka ndryshime rrënjësore nga viti në vit. Kam më shumë se dy dekada si trajner dhe e di vështirësitë që kemi kaluar, por viteve të fundit edhe lojtarëve u duket vetja, tamam njeri.
Në fund të ndeshjes, isha super i kënaqur. Erdhëm për të fituar, por edhe barazimi është i kënaqshëm pasi Kukësi është rivali direkt. Më kënaq skuadra pasi luajtën ashtu siç e kisha parashikuar në fillim. Jam i kënaqur me lojën dhe me barazimin këtu.
Kur ke kundërshtarë si Vllaznia pasi tani duhet të bëjmë llogari, Vllaznia po të fitonte me ne do afroheshin, njësoj edhe sot me Kukësin që po të fitonin do afroheshin me ne dhe vendi i dytë do të rrezikohej që sot”.
Vendi i dytë? “Është arritje historike nëse dalin në vend të dytë dhe nëse fitojmë Kupë. Nëse nuk do të isha larguar, isha i bindur që skuadra do të luftonte për titull. Nuk më pëlqen kjo diferencë me Tiranën pasi e them me bindje që nuk kemi shumë diferenca me Tiranën edhe pse janë me meritë në krye”, u shpreh Duro./newsport/