Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi ka folur para përballjes kualifikuese kundër Anglisë e cila zhvillohet më 15 nëntor në Shkodër.

Tekniku është shprehur se ka mungesa në këtë grumbullim pasi 3 lojtarë janë grumbulluar te U 19, ndërsa ka edhe risi si Tuci, Domi dhe Ismailgeci.Ndërkohë, Bushi ka theksuar se me Anglinë duhet të shfrytëzojnë maksimalisht sulmet.

“E dimë kush është Anglia. Nëse me San Marinon futemi të bëjmë sulme, me Anglinë do mundohemi të jemi të kujdesshëm. Ndërsa do mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht sulmet. Domi, Tuci dhe Ismailgeci vijnë për herë të parë, luajnë në ekipet e tyre dhe janë në formë për momentin. Kemi pasur probleme pasi kanë ikur Broja, Ndrecka dhe Bullari dhe në sulm jemi me gjysmë sulmuesi”, tha fillimisht Bushi.

Mungesat? Ekipi Kombëtar është që lojtarët të shkojnë lart, rrallë shkojnë poshtë. Kemi pasur probleme gjithnjë pasi një herë dëmtime, më pas ikin sipër dhe më pas te U 19. Por edhe lojtarët që janë thirrur janë mirë dhe nuk do kemi probleme.

Por ka qenë problem ndryshimi i formacionit. Në ndeshjen me Austrinë  kemi ndryshuar tetë lojtarë. Ndryshe edhe nga Kosova. Por mendoj se do stabilizohemi. Anglia është ekipi i madh, por nuk duhet pasur frikë.

Në ndeshje mund të ndodhin të gjitha. Kemi luajtur me Francën, Italinë dhe Spanjën dhe thuajse kemi luajtur të barabartë për ato synimet që ne kishim, dhe golat i kemi pësuar prej gabimeve individuale. Nëse nuk bëjmë gabime dhe Anglia do ta ketë të vështirë. Duhet ta respektojmë por do ta kenë të vështirë.

Tifozët? Është një ndeshje e rëndësishme, tifozët të vijën të shohin Shqipërinë dhe jo Anglinë. Edhe kur kemi humbur kemi dhënë maksimumin për të nderuar flamurin dhe tifozët. Duhet ta dimë se më kë luajmë, por kemi dhënë maksimumin. Mendoj se në Shkodër tifozët do të vijnë se kanë ardhur dhe kur nuk kanë qenë ndeshje kualifikuese.

Skema – Skema është në varësi të lojtarëve. Më pëlqen loja sulmuese, por kur kundërshtari ka topin, dua 11 veta mbrapa.

Nostalgji nga ndeshja juaj me Anglinë? Mund të shënonim në fund dhe ndeshja shkonte 2-2. Nuk ka ekip të vogël, por ka grup. Këtë duam ta transmetojmë dhe kur jemi përballur vetë me të mëdhenj kemi qenë të barabartë pavarësisht se kanë fituar në fund.