Albert Kaçi beson dhe dëshiron që Vllaznia e këtij sezoni të marrë titullin dhe Kupën. Ish-mesfushori, për “Panorama Sport”, tregon se ka parë shumë luhatje, sidomos fazën e tretë, të zhvilluar nga Vllaznia. Kaçi deklaron se një trofe për Vllazninë këtë sezon duket më se i arritshëm, ndërsa shton se finalja e Kupës nuk duhet të kalojë mes kompromisit.


Si e keni parë kampionatin deri tani? Çfarë ju ka bërë përshtypje?

Kampionati deri tani ka pësuar ndryshime të vazhdueshme. Të gjitha ekipet kanë pasur luhatjen e tyre. Është një kampionat me rivalitet në krye, por edhe në fundin e tabelës.


Po Vllazninë si e keni parë këtë sezon, në kampionat dhe në Kupë?

Thashë, kampionati pati lëkundjet e veta, por se si ndryshoi Vllaznia në fazën e tretë kjo bëri “muu”. Vllaznia doli në finalen e Kupës dhe në letër duket e lehtë me Skënderbeun. Megjithatë, kjo e fundit e ka marrë veten këto javët e fundit. Uroj, ishalla e fitojmë këtë vit njërën ose tjetrën, sepse kemi kaq shumë vite që e presim. Këtë vit jemi më afër se kurrë titullit ose Kupës, ose të dyja, do të ishte super për Shkodrën.


Çfarë mendoni se u gabua te Vllaznia kur ishte me diferencën 9 pikë?

Vllaznia ishte 9 pikë para dhe e lëshoi vendin e parë sa hap e mbyll sytë. La pikë me ekipe jo shumë të forta dhe gabimin e di stafi bashkë me lojtarët. Ata e dinë më mirë se askush.


Cilin shihni rivalin më të fortë për titullin?

Rivali më i fortë për titull e kam thënë se është Laçi. Prapë them njësoj, edhe pse u afrua Teuta dhe mori kreun. Edhe Partizani është afër dhe kampionati është i hapur. Në lojë janë 4-5 ekipe për titull.


E prisni që Vllaznia këtë vit të sjellë pas 20 vitesh titullin?

Mundësitë janë. Shpresoj dhe besoj që po. Lufta do të jetë e fortë dhe shpresat janë të mëdha.


Ju keni qenë pjesë e asaj Vllaznie. Çfarë ka të përbashkët kjo skuadër me atë të asaj kohe?

Po të veçantë? Kam qenë pjesë e Vllaznisë kampion në vitin 2001 dhe fitues i Kupës në vitin 2008. Unë sot shikoj një Vllazni shumë të mirë. E stërvitur teknikisht dhe taktikisht, por nuk shikoj kundërshtare të Vllaznisë siç kishim ne të asaj kohe. Kishte rivalitet më të madh në ato vite.


Vllaznia e siguroi finalen e Kupës, e prisnit një gjë të tillë?

Nuk është se nuk e prisja. Si mori situata, mundësitë ishin reale.


Ju keni qenë edhe pjesë e ekipit fitues për të fundit herë të Kupës së Shqipërisë në 2008-ën. Besoni se Vllaznia mund t’ia dalë me Skënderbeun?

Normalisht që po. Në fundjavë përballja me Skënderbeun shihet dhe vendoset se cila e merr Kupën, sepse nuk është hera e parë që në Shqipëri ndodhin kompromise. Unë uroj që të mos ketë ndonjë gjë tjetër.


Kupë e kampionat, mund të jenë të arritshëm, sipas jush?

Unë uroj me shpirt që Vllaznia t’i fitoje të dy, por ishalla Vllaznia merr njërën Kupë këtë vit, se të dy s’e besoj kurrë. Megjithatë, ishalla ndodh e i marrim të dy trofetë.