Një nga arsyet e suskesit të këtij edicioni te Vllaznia është se përveç një loje të bukur e ofensive, shkodranët kanë studiuar në detaj çdo element të kundërshtarit që kanë përballë. Brdariç analizon në detaje rivalët dhe taktikisht skuadra është e përgatitur për çdo eventualitet.

Por këtë radhë, duket se Vllaznia shkon në ndeshjen me Kukësin me një pasiguri sa i përket taktikës që kanë përgatitur verilindorët, nga të paktët që e kanë mundur ekipin shkodran në këtë sezon.

Kjo shihet qartë nga video e hedhur nga klubi në rrjetet sociale ku shfaqet Brdariç duke folur para lojtarëve në fillimin e stërvitjes së fundit të skuadrës.

Brdariç u kërkon lojtarëve gjerësi në fushë, që të krijojnë sa më shumë pika pasimi edhe mes linjave të skuadrës kundërshtare. Ndër të tjera ai thotë edhe frazën “nuk e dimë nëse do të luajnë me 3 apo me 4“, për verilindorët duke iu referuar prapavijës.

Por njëkohësisht siguroi lojtarët që nëse krijonin hapësira për pasime, nuk do e kishin të vështirë me cilëndo skemë. Me pak fjalë, Vllaznia do të shkojë në këtë ndeshje e përgatitur për cilindo nga këto variante taktike dhe do të vendosë vetëm para sfidës se si t’i kundërpërgjigjet rreshtimit të kundërshtarit në pikat e dobëta të tij. /vipsport/