Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme ndeshjen e parë të Nations League. Kalendari e ka vendosur të ndeshet në transfertë me Kombëtaren e Islandës, ndeshje kjo që do të luhet në Reykjavik, duke nisur nga ora 20:45.

Në prag të kësaj ndeshje, kuqezinjtë të drejtuar nga trajneri Edoardo Reja konsumuan disa ditë përgatitore në kompleksin sportiv të Durrësit, ku seanca e fundit ishte ajo e pasditës së premte.

Një seancë ku trajneri Reja ka bërë kolaudimet e fundit anti-Islanda, duke piketuar edhe emrat e formacionit. Për ndeshjen e parë në rradhët e kuqezinjve, do të mungojnë titullarët e sulmit Armando Broja dhe Myrto Uzuni.

Për Brojën, bëhet e ditur se ka rezultuar me probleme Covidi dhe për këtë ka qëndruar disa ditë pushim. Megjithatë, për sulmuesin ka lajme të mira, sepse në testin e fundit Covid-19 të bërë një ditë më parë, ai ka dalë negativ, duke iu dhënë e drejta të stërvitet në mënyrë individuale te Chelsea.

Stafi i Kombëtares është në kontakte të vazhdueshme me klubin anglez për t’u përditësuar mbi gjendjen fizike të sulmuesit, i cili pritet t’i bashkohet Përfaqësueses së Shqipërisë në Durrës, pas kthimit nga Islanda, ku shpresohet që ai të jetë në gjendje optimale për të luajtur në dy sfidat e rradhës ndaj Izraelit dhe Estonisë.

Ndërkohë, sa i përket Myrto Uzunit, si rezultat i një dëmtimi në kavilje, ai ka zhvilluar stërvitje të diferencuar. Stafi mjekësor i Kombëtares së Shqipërisë, pas konsultimeve ka vendosur që futbollisti të mos udhëtojë me skuadrën në Islandë dhe të qëndrojë në Shqipëri, duke vijuar rikuperimin e plotë, për të qenë gati në ndeshjen e radhës me Izraelin.

Kombëtarja e Shqipërisë ka udhëtuar paraditën e ditës së djeshme drejt Islandës, teksa pasdite zhvilluan edhe një seancë stërvitore, ndërsa sot ekipi do të kryejë edhe stërvitjen zyrtare në stadiumin në Reykjavik, një ditë para sfidës zyrtare, që luhet mbrëmjen e nesërme.

Menjëherë pas ndeshjes së transfertës me Islandën, Shqipëria do të luajë në shtëpi dy sfidat e rradhës, fillimisht me Izraelin me datë 10 qershor, ora 20:45, si edhe me 13 qershor ndaj Estonisë, ora 18:00.

Maringlen ZHIVANI