Shqipëria U-15 mori fitoren e dytë radhazi në turneun “UEFA Development” në ndeshjen e luajtur këtë të premte kundër Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Genti Mahmuti fituan me rezultatin 1-0, me gol të shënuar nga Samuel Prendi.
Trajneri Mehmeti hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Ndoj (GK), Kerxhaliu, Muharremi, Avdylaj, Elqeni (C), Ramadani, Shofiti, Mehmeti, Prendi, Gjomarkaj, Kajtazi.
Kuqezinjtë zhvilluan një lojë të bukur dhe me raste të shumta. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në fraksionin e dytë kuqezinjtë e vegjël shënuan golin e fitores me Prendin. Ky i fundit shfrytëzoi mirë asistin e Mehmetit, duke u futur në zonë dhe duke e çuar topin në rrjetë në minutën e 64-t.
Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0 për Shqipërinë U-15, që korr kështu suksesin e dytë radhazi në këtë turne.
Në takimin tjetër të ditës së sotme, Kosova mposhti Armeninë me shifrat 4-3.
Takimet e fundit të turneut UEFA Development U-15 do të luhen më 3 nëntor. Shqipëri – Kosovë është programuar në orën 14:00, ndërsa Armeni – Maqedoni e Veriut në orën 10:00.
 
 


