Monday, January 12, 2026
FAQJA E PARE OPINIONEShqiptarët e vitit 2012, kampionë në tre kontinente

Shqiptarët e vitit 2012, kampionë në tre kontinente

Opinion Nga FLORENT HOXHA

Kanë kaluar 17 vjet që kur shkodrani i Kombëtares së Shqipërisë, Hysen Zmijani, shpallej kampion i Arabisë Saudite me Al-Nasr, duke u bërë i pari shqiptar fitues i një kampionati jashtë Europës. Ishte edicioni i largët 1994-95, që mbyllej me fitoren 3-1 të ekipit me të cilin luante mesfushori ynë i shkëlqyer kundër ekipit të fortë të Al-Hilal, duke e zyrtarizuar kësisoj suksesin e parë të këtyre përmasave në historinë e futbollistëve shqiptarë jashtë kufinjve të Shqipërisë.

Në vitet 90-të, partizanasit Adnan Ocelli dhe Edmond Dosti zbarkuan në Korenë e Jugut, kurse shumë vite më vonë kontinentin aziatik e prekën edhe mbrojtësit e Kombëtares, Rudi Vata e Nevil Dede, që luajtën në Japoni dhe Kinë. Për një kohë të shkurtër luajti në Kazakistan edhe Dritan Stafsula, ndërsa dy vjet më parë sulmuesi Migen Memelli luajti po në Arabinë Saudite, duke u bërë autor i shumë golave.
E pra, viti 2012 ishte një vit historik për futbollin shqiptar, sepse pas 17 vjetësh, një tjetër shkodran u shpall kampion në Azi me Xhevahir Sukajn, që fitoi kampionatin iranian me Sepahan. Kaloi në Iran, pasi la mes polemikash Vllazninë e Shkodrës, dhe kur pesimistët të bindur filluan të trumbetojnë dështimin e radhës të sulmuesit tonë në aventurat e tij jashtë vendit (kishte provuar më parë futbollin turk, kroat dhe egjiptian), Sukaj filloi të shënojë gola vendimtarë, duke e ndihmuar ekipin e vet në arritjen e titullit kampion.
Ky ishte viti historik i futbollit shqiptar, sepse përpara Sukajt, shpallet kampion edhe Besart Berisha në Australi me Brisbane Roar. Gjatë një viti të pabesueshëm, prishtinasi ynë shënoi 21 herë, duke merituar “Këpucën e artë”, që nuk fitohej nga asnjë futbollist tjetër shqiptar që nga kohët e arta të Kliton Bozgos në Slloveni. Vite më parë ishte shfaqur në ato anë edhe Uliks Kotrri, që dikur vishte fanellën e neo-zelandezëve të Otago-s. Në kontinentin amerikan dikur pati luajtur edhe Blerim Rrustemi me Defensor Sporting të Uruguajit, ndërkohë që së fundi zbarkoi tek Uashingtoni amerikan edhe Hamdi Salihi, i shkollës shkodrane të futbollit, i cili ndonëse nuk shkëlqeu sa pritej, shënoi 6 gola në kampionat.
Ishte viti historik kur në ligën e Kampionëve të Azisë u shënuan golat e parë shqiptarë. Shënoi i pari Sukaj, që ndëshkoi Al-Nasr të Emirateve të Bashkuara Arabe, që drejtoheshin nga ish legjenda e portës italiane Valter Zenga (në ekip edhe kampioni i botës Luka Toni), ndërsa një ditë më vonë ishte Berisha që i shënoi FC Tokios, duke u bërë kështu shënuesi i parë shqiptar i dy ligave të ndryshme të Kampionëve pas golit të disa viteve më parë për Hamburg të Gjermanisë kundër CSKA të Moskës. Kohët e fundit luajti në Azi edhe kavajasi Sokol Çikalleshi, por disa dëmtime të rënda nuk e lanë të binte në sy në kampionatin e Koresë së Jugut, ndërsa pak luajti në kampionatin kanadez edhe skraparlliu Ardit Xhameni, që shënoi tre gola në 9 ndeshje me Brampton United.
Ky pra ishte viti historik, kur përveç Azisë dhe Australisë, edhe në Europë u shpall kampion një futbollist shqiptar, Isli Hidi i AEL të Limasolit, ekipit që shpallet kampion i Qipros pas 44 vitesh, duke mposhtur konkurrencën e madhe të APOEL, që arrinte deri në çerekfinale të ligës së Kampionëve të Europës! E kjo nuk është pak për një vend të vogël si Shqipëria jonë.
Po jetojmë kohë të bukura futbollistike, madje historike, teksa bëhemi dëshmitarë të disa thyerjeve të pabesueshme rekordesh nga yjet e mëdhenj botërorë, si Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo, por ja që edhe në paskemi yjet tanë të cilët meritojnë pak më shumë vëmendje, sidomos në një vit të tillë si viti 2012, i mbushur me ngjarje historike të futbollistëve shqiptarë në botë, që nuk e meritojnë kurrsesi të mbesin në hije.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments