Igli Tare është drejtori sportiv i një prej klubeve më të mëdhenj të Serie A dhe e ka shfytëzuar këtë post edhe për të ndihmuar bashkatdhetarët e tij, duke i dhënë mundësi të shpalosin talentin e tyre në një klub si Lacio.

Një prej tyre është edhe talenti korçar Dean Liço. 19-vjeçari i është bashkuar të rinjve të klubit kryeqytetas në merkaton e dimrit dhe ka arritur të zhvillojë disa paraqitje të mira, derisa koronavirusi të godiste rëndë Italinë dhe ndalte gjithë futbollin.

Të gjithë pa përjashtim e lanë topin dhe u detyruan të futen në strehat e tyre, por Deani sapo kishte ardhur në Romë dhe akomodohej në ambientet e klubit, që më pas u mbyllën. Megjithatë, kjo kurrsesi nuk do të thotë se i riu do të ngelte pa një shtëpi, pasi Igli Tare është gati gjithmonë për t’i ndihmuar shqiptarët e tij.

Ish-bomberi i Kombëtares e ka marrë Deanin në shtëpinë e tij. Ish-talenti i Skënderbeut po kalon kohë edhe me djalin e Iglit, Etienin, të cilin e ka shok skuadre te Lacio U19.

Lajmi fillimisht është shpërndarë në disa medie lokale dhe në një kontakt, që Vip Sport pati me burime pranë lojtarit, mund të themi se ky lajm është totalisht i vërtetë. /vipsport.al/