Suksesi 4-2 kundër Sassuolos ishte i shtati radhazi për Interin. Zikaltrit e Simone Inzaghit ndodhen në formë të shkëlqyer, njësoj si Romelu Lukaku.

Sulmuesi belg zhbllokoi takimin me një eurogol, ndërkohë që në fund vulosi “pokerin” e Interit me golin e dytë personal.

Pas ndeshjes, Lukaku deklaroi: “Jam i lumtur për fitoren, pasi Sassuolo është një skuadër që na shkakton gjithmonë probleme në San Siro. Është e bezdisshme të luash ndaj tyre.

Kemi arritur shumë fitore gjatë këtij muaji. Jemi në formë shumë të mirë, të vazhdojmë kështu përpara.

Milan? Kam shumë dëshirë të luaj të martën, si gjithmonë. Trajneri e di që jam gati, por Interi ka më shumë rëndësi sesa individët.

Mund t’ia dalim të fitojmë dy trofe këtë sezon“, theksoi Lukaku. Interi është afër kualifikimit në finalen e Champions League, teksa do të përballet me Fiorentinën në finalen e Kupës së Italisë.