Mauricio Poçetino do të prezantohet së shpejti si trajneri i ri i skuadrës së Çelsit. Drejtuesit amerikanë të londinezëve kanë gjetur akordin me të dhe pritet që shumë shpejt ta zyrtarizojnë si teknikun i cili do të marrë drejtimin e ekipit duke filluar nga sezoni i ardhshëm.

Por ndërkohë, po punohet që tani për t’i siguruar argjentinasit emrat që kërkon për merkaton, pasi në verë pritet një tjetër fushatë e çmendur blerjesh. Një sulmues, një mesfushor dhe një portier janë prioritetet kryesore të Poçetinos, i cili kërkon lojtarë të gatshëm që mund të bëjnë menjëherë diferencën.

Mediat angleze raportojnë se sa i përket sulmit, emrat e piketuar janë ato të Lautaro Martinez dhe Viktor Osimhen. Të dy yjet e Serisë A tërheqin blutë dhe njëri, ose të dy, mund të përfundojnë në verë te londinezët të cilët kanë bërë gati një plan shitjesh për të sponsorizuar afrimet e tyre, pa harruar këtu firmën e Kristofer Nkunku i cili i bashkohet në verë nga Lajpcigu.

Deklan Rajs dhe Aleksis MekAlister janë dy emrat që po ndiqen në mesfushë, ndërsa në portë, kandidatura e Emiliano Martinez duket më e mundshmja.

Kështu, Armando Broja do e ketë pak shanse që të sigurojë hapësira të rëndësishme në skuadër pa u bërë më parë një spastrim thuajse i plotë i emrave aktual në sulmin e bluve, të cilëve u shtohet edhe Lukaku i cili kthehet në verë nga Interi.