Kundër Seviljes duhej të ishte nata e madhe, ajo ku Juventusi të tregonte se e do me çdo kusht finalen e Ligës së Europës dhe mbi të gjitha ta ketë të sigurt kualifikimin në Ligën e Kampioneve për në sezonin e ardhshëm, duke fituar turneun e dytë për nga rëndësia e UEFA-s. Por në fund, vjen një barazim 1-1, i cili për futbollistët mund të ngjajë një fitore, duke qenë se erdhi në minutën e 97-të, por tifozët menjëherë pas ndeshjes janë ngritur në protesta të mëdha në rrjetet sociale, kundër Masimiliano Alegrit.

Sigurisht që kjo nuk është hera e parë që ndodh sivjet, apo edhe në sezonin e kaluar, por ndoshta ky barazim dhe duke parë paraqitjen e bërë nga Juventusi në pjesën e parë, nuk ka bindur se në duelin e kthimit Di Maria me shokë do të mund të fitojnë dhe të shkojnë në finale. Dhe për këtë fajësojnë idetë e “Kontit Maks” për shumë arsye.

Gjithsesi, dy më të rëndësishmet lidhen pikësëpari me sistemin shumë difensiv të lojës së tij, gjithmonë në pritje të kundërshtarit dhe më pas për të tentuar që ta dënojë në kundërsulm. Por e dyta dhe më e rëndësishmja, tashmë që ka rikuperuar të gjitha armët e rëndësishme, si Kieza, Milik e Pogba, vendos që shumë prej tyre t’i mbajë në stol dhe për t’i dhënë nga 20-30 minuta në fund, një mendjemadhësi në dukje kjo, duke parë se nga minuta e parë luajti për shembull Mireti, që ende nuk ka maturinë e duhur për të tilla nivele, apo edhe Kostiç që është i shtrydhur nga një sezon i tërë.

Shkurt, të gjitha këto zgjedhje nuk pëlqehen më dhe ndoshta Alegri tashmë nis të shihet si një figurë e sfumuar në Torino pas 7 vitesh në stol, edhe pse i ndarë në dy eksperienca të tjera. Prandaj, edhe shpërthimet emocionale negative ndaj tij kanë qenë disa dhjetëra mijëra ku kryefjala ishte: “Nuk shkohet kështu në një finale. Nuk luhet kështu futboll dhe të durohet fodullëku i tij që lë Kiezën në stol dhe fut Miretin, kur duhet luajtur për të shkuar në finalen e Ligës së Europës. Tani u bë e tepërt”, shkruanin tifozët bardhezi në rrjetet e ndryshme sociale.

Dhe ndoshta, nuk do të jetë aspak çudi, që të dielën përballë Salernitanës, sfidë që do të luhet në “Allianz Stadium”, mund të ketë ndonjë protestë të rezervuar kundër trajnerit Alegri. Por për ta mësuar këtë duhet të presim duelin e të dielës në mbrëmje, një sfidë që “Zonja e Vjetër” nuk mund ta gabojë absolutisht. Alegri nuk mund ta gabojë absolutisht…