Ka ndodhur ajo që pritej. Atleti shkodran Franko Burraj ka thyer edhe rekordin kombëtar të garës së 200 metrave duke u bërë tashmë numri 1 edhe i kësaj disipline, ashtu siç mban edhe rekordin e 400 metrave.

Rekordi i ri është vendosur pasditen e sotme në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 100 vjetorit të Sporklub Vllaznia.

Ai ka lënë pas të gjithë rivalët e tij duke bërë një vrapim fantastik dhe në fund, matësi elektronik ka fiksuar rezultatin 21″49 ndërkohë që rekordi i mëparshëm mbahej nga shkodrani tjetër Oltion Luli me 21″59 dhe ishte vendosur plot 21 vite më parë në disa gara të zhvilluara jashtë vendit.

Në këtë mënyrë Franko Burraj konfirmon edhe njëherë vlerat e tij të shkëlqyera si një sportist mjaft cilësor dhe falë punës së shkëlqyer të bërë me trajnerin e tij Bruno Rrotani, po ia dalin të dominojnë në këto dy disiplina 200 dhe 400 metra.

Vendosja e rekordit të sotëm është shoqëruar edhe me duatrokitjet e shumta të publikut shkodran të pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”.
© shkodrasport.com