Lazio ka arritur të sjellë në skuadër plot 7 futbollistë gjatë kësaj merkatoje verore, duke shpenzuar rreth 44 milionë euro dhe tani vëmendja e Igli Tares është përqendruar në shitjen e atyre që nuk bëjnë pjesë në planet e klubit.

Deri tani bardhekaltrit kanë shitur Vavro dhe Muqirin, prej të cilëve kanë arkëtuar në total rreth 14.4 milionë euro, ndërsa në listën e atyre që duhet të gjejnë një ekip tjetër janë edhe emra si Acerbi, Akpa-Akpro, Kiyine, Escalante dhe ndoshta edhe Elseid Hysaj, nëse vjen oferta e duhur.

Për momentin ofertat konkrete mungojnë, megjithatë futbollistët e mësipërm nuk bëjnë pjesë në planet e Sarrit, ndaj te Lazio duan të lirohen sa më shpejt nga pagat e tyre, qoftë edhe duke i dhënë në huazim.

Pak më ndryshe është situata me Acerbin, që ka prishur marrëdhëniet edhe me tifozët dhe për momentin nuk është grumbulluar me ekipin, ndaj Lotito ka dhënë miratimin për shitjen e tij për një shifër prej 4-5 milionë eurosh, duke parë edhe moshën e mbrojtësit.

Kujtojmë që deri tani Lazio ka arritur të firmosë me portierin Luis Maximiano nga Granada, tre qendërmbrojtësit Nicola Casale, Mario Gila e Alessio Romagnoli, mesfushorët Matias Vecino e Marcos Antonio, si dhe sulmuesin Cancellieri.

Momentalisht po punohet vetëm për afrimin e Provedel nga Spezia, i cili pritet të bëjë portierin e dytë dhe merkatoja në hyrje mund të quhet e mbyllur për Lazion, që gjithsesi do të mbetet aktive deri në fund për të larguar të padëshiruarit.