Shtatori do të vijë me shumë risi për disa boksierë shkodranë dhe shqiptarë. Gjatë këtij muaji, në Shkodër do të organizohet një aktivitet shumë interesant I boksit profesionist, në të cilin do të marrin pjesë pikërisht ato.
Ideja e trajnerit Zef Gjoni për t’I çuar tashmë sportistët më të mirë të Shqipërisë në boksin profesionist, duket se po konkretizohet. Ai ka gjetur gjuhën e përbashkët me një shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, I cili ka një palestër boksi atje.
Interesi I tij është për promovimin e boksierëve shqiptarë dhe për këtë arsye, po mundohet të përzgjedhë më të mirët. Disa prej tyre në fakt, përfshi këtu shkodranin Arjon Kajoshi dhe dy vlonjatët që kanë konkurruar për Vllazninë, Krenar dhe Rexhildo Zeneli, kanë disa ditë që janë grumbulluar në pikën turistike të Zogajt dhe po bëhen gati për sfidat e shtatorit ndaj boksierëve të huaj, sfida këto që do të zhvillohen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Në këtë mënyrë, duket se për boksierët shqiptarë po hapin dritare e mundësi të reja, për të konkurruar në nivele të larta, tashmë edhe në boksin profesionist. Një gjë e tillë padiskutim që do t’u sjellë edhe përfitime financiare, duke lënë pas njëherë e mirë periudhën e vështirë në të cilën kanë kaluar prej vitesh.
Trajneri Gjoni është optimist se gjërat tashmë kanë hyrë në rrugën e duhur dhe këta sportistë do të kenë një të ardhme të shkëlqyer në boksin profesionist.
www.shkodrasport.com