Çështja e stadiumit “Loro Boriçi” prej shumë kohësh ka përbërë lajm, herë për nisjen e punimeve, herë për mosmarrëveshjet me Bashkinë të Federatës apo Qeverisë, por tashmë ndërkohë po bëhet lajm edhe për inagurimin e tij se kush do të jetë ai që do të jetë prezent në këtë festë sportive. E vërteta e gjithë kësaj historie është se përfundimi i punimeve në këtë impiant sportiv është ende shumë larg.
Kryeministri Rama premtoi pas kualifikimit të Shqipërisë për në Europian se miqësorja e nëntorit ndaj Polinisë do të luhej në “Loro Boriçi”. Në fakt në nëntor as që bëhet fjalë për zhvillimin e një ndeshje aty, madje as në dhjetor. Çka do të thotë se për këtë vit, nuk ka asnjë shans që stadiumi të përfundojë së rikonstruktuari. E rëndësishme është ai të përfundojë të paktën në janar apo shkurt sepse kuptohet që nisja e periudhës së reshjeve dhe e temperaturave të ulëta, nuk i favorizon punimet. Ajo që kemi konstatuar sot është se numri i punëtorëve të firmës ndërtuese është shtuar në këtë impiant sportiv por kuptohet që nuk është në nivelin e duhur. Po ashtu, vërehet se kanë filluar gërmimet në fushën e lojës për të bërë fillimisht drenazhimin e saj para se të vendoset tapeti i ri. Gjithsesi ritmet e punës janë të ulëta në këtë fund-tetori. Mbase për këtë gjë ka penguar edhe mosfirmosja e kontratës për administrimin e stadiumit në mes FSHF-së dhe Bashkisë Shkodër por edhe kjo do të zgjidhet. Ashtu siç pat deklaruar kryebashkiakja Ademi, në momentin më të parë që Këshilli Bashkiak do të jetë gati për ta aprovuar, do të bëhej kjo gjë dhe kështu do të ndodhë. Kjo çështje do të jetë pika numër 5 e rendit të ditës në mbledhjen e ditës së shtunës të këtij Këshilli dhe pas marrjes së OK-it prej anëtarëve të tij, do të bëhet edhe firmosja formale e kontratës në mes kryebashkiakes Ademi dhe sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shulku. Të shpresojmë që pengesa për punimet të ketë qenë kjo kontratë, ndonëse nuk është kështu dhe dëshira e të gjithë shkodranëve është që ky stadium të përfundojë sa më shpejt. Për të parë duke luajtur aty jo vetëm Vllazninë por edhe kombëtaren shqiptare.
© shkodrasport.com