Kampionati kombëtar i boksit për të rritur është në prag. Ai do të zhvillohet për tre ditë me rradhë, të premten, të shtunën dhe të dielën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Në këtë të fundit gjithçka duket gati. Në televizionet lokale ka filluar transmetimi i një spoti në të cilin i bëhet thirrje sportdashësve për të qenë të pranishëm në këtë impiant sportiv në të tre ditët e zhvillimit të këtij kampionati. Po ashtu po merren edhe masat që në ndeshjet e ditës finale, skena rreth ringut të jetë e tillë që t’i ngjajë ndeshjeve të mëdha të boksit profesionist. Gjërat tek Federata e Boksit duket se kanë filluar të lëvizin për mirë që pas zgjedhjeve të fundit të bëra dhe ardhjes në krye të saj të presidentit Kalivopuli. Sa i takon kampionatit, pritet të ketë një rivalitet të fortë dhe duket se përveç Vllaznisë e Tiranës, në garë për titullin duket se do të jetë edhe Dinamo. Këtë gjë e ka paralajmëruar trajneri i ekipit shkodran Zef Gjoni i cili për shkodrasport.com do të shprehej:

“Mendoj se ka për të qenë një nga kampionatet më të forta të viteve të fundit. E rëndësishme është që asnjë ekip nuk do të ketë probleme me gjykimet sepse vetë presidenti i Federatës ka qenë shumë i prerë në këtë drejtim. Vllaznia kuptohet që është pretendente po ashtu si dhe Tirana por nuk duhet nënvleftësuar aspak edhe Dinamo e cila sipas informacioneve që kam, ka edhe ajo pretendimet e saj. Pa përmendur këtu edhe disa ekipe të tjera që në pesha të caktuara kanë pretendimet e veta. Prandaj unë parashikoj një garë të fortë megjithatë fituesi dihet se kush do të jetë: Vllaznia. Them kështu sepse jemi përgatitur si asnjëherë tjetër këtë vit për këtë kampionat me stërvitje intensive dhe grumbullime jashtë Shkodrës, kjo falë mbështetjes financiare të dy presidentëve të ekipit tonë, Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi dhe prandaj duhet t’ua shpërblejmë atyre si dhe tifozëve tanë që besoj se do të na mbështesin fuqimisht edhe këtë herë”.
Gjergj KOLA