Ka luajtur me të dy ekipet dhe e di rëndësinë e veshjes së fanellës kuqeblu dhe asaj bardheblu. Vioresin Sinani jo më kot e cilëson këtë përballje në mes Vllaznisë dhe Tiranës si derbin e Shqipërisë dhe natyrisht që i vjen keq për gjendjen në të cilën ndodhen të dy këto skuadra. Duke folur për faqen tonë, shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kampionatin shqiptar, do të ndalej edhe tek ndeshja e së dielës në mes tyre dhe natyrisht që favorizon skuadrën e qytetit të tij si më me shumë shanse për ta fituar atë. Ja intervista e plotë e tij dhënë për shkodrasport.com:

-Viori, të dielën përballja Vllaznia- Tirana. Si e prisni atë?
-Edhe kur kam qenë futbollist por edhe tani, e pres me shumë kënaqësi. Kjo ndeshje është derbi i Shqipërisë me plot gojën. Nëse ka edhe një ndeshje tjetër derbi, ajo Partizani- Tirana, atë do ta etiketoja si derbi i kryeqytetit ndërsa Vllaznia- Tirana është derbi i gjithë Shqipërisë. Kam provuar të luaj me të dy këto skuadra dhe kuptohet që ka emocione megjithëse të them të drejtën nuk më pëlqen t’i shoh këto dy ekipe në këto pozita. Nuk i shkon Vllaznisë dhe Tiranës, dy emrave simbol të futbollit shqiptar të jenë në krizë. Ato vijnë në këtë përballje kur nuk po kalojnë një moment të mirë megjithatë ju siguroj se në fushë do të shohim tjetër gjë. Do jetë një spektakël i vërtetë sepse këto dy skuadra prodhojnë gjithmonë futboll.
-A mund të fitojë Vllaznia ndaj Tiranës?
-Sigurisht që mund të fitojë madje unë do të thoja se në këto momente, gjendja psikologjike e futbollistëve të Vllaznisë është më e mirë se e atyre të Tiranës. Përpos kësaj, në futbollin shqiptar aktualisht vetëm Skënderbeu bën diferencën ndërsa të gjithë ekipet e tjera janë aty- aty, asnjëri nuk dominon në fushë. Për këtë arsye, skuadra shkodrane nëse luan si në dy ndeshjet e fundit, edhe mund ta fitojë këtë takim. Sa i takon Tiranës, ajo ka lojtarë të mirë në përbërje të saj por s’ka zhvilluar lojëra të mira këtë kampionat dhe prandaj duhet shfrytëzuar ky fakt nga shkodranët.
-Do të jetë Sinani në stadiumin e Pukës për ta ndjekur këtë ballafaqim?
-Patjetër që do të jem në Pukë. S’mund ta humbas një takim të tillë për ta ndjekur sepse siç e thashë, është derbi i Shqipërisë.
-Kush do ta zgjidhi fatin e kësaj ndeshje, sulmuesit?
-Më prekët tek pika ime e dobët. Ajo që konstatoj është se asnjëra prej këtyre dy skuadrave nuk i ka më sulmuesit që ka patur më parë. Janë shumë larg cilësisë së tyre. Megjithatë edhe sulmuesit aktualë që ato kanë mund të vendosin fatin e ndeshjes por ndoshta edhe të tjerët, këtë nuk di ta them me siguri.
-Një derbi që i gjen të dyja skuadra pa trajnerë. Si e gjykoni këtë fakt?
-Kur thashë që përballja i gjen të dy ekipet në krizë, kisha parasysh edhe këtë. Ato ndeshen në pozita thuajse të barabarta: Pa trajnerë, pa lojëra të bukura, pa pikët e duhura në renditje por duhet të luftojnë për ta kaluar këtë situatë sepse nuk u shkon për shtat.
-Si e gjykon situatën në të cilën po kalon Vllaznia?
-Situatën të jem realist nuk e shoh të mirë. Normalisht që Vllaznia nuk bie nga kategoria por edhe drejtuesit aktualë të saj nuk duhet të kënaqen thjesht me këtë objektiv. Duhet të kërkojnë më shumë nga vetja dhe nga skuadra sepse nuk i shkon për shtat ky vend ekipit më të vjetër në Shqipëri.
-Kush mendoni se duhet të jetë trajneri i ri i Vllaznisë?
-Nuk kam dëshirë të jem pjesë e kësaj çështje. Drejtuesit e klubit i kanë emrat në tavolinë dhe shpresoj që ata të zgjedhin më të mirin.
-Së fundi Sinani, për kë do të bëni tifozllëk të dielën?
-Nuk besoj se është pyetje që ka ndonjë dyshim brenda. Për Tiranën apo dhe skuadra të tjera të kampionatit shqiptar, kam shumë respekt por Vllazninë se ndërroj me askënd. është skuadra ime e zemrës, e familjes time, e qytetit tim dhe do jem me të deri në vdekje.
Gjergj KOLA