Ka nisur pasditen e sotme kampionati kombëtar i boksit për të rritur. Në këtë kampionat marrin pjesë 9 ekipe dhe pikërisht Vllaznia, Tirana, Apolonia, Flamurtari, Teuta, Partizani, Dinamo, Arena, Shkodra Boks Siç dihet, finalet e këtij kampionati sivjet zhvillohen në Shkodër dhe drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia kishin marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti dhe jo më kot kanë marrë edhe përgëzimet nga ana e krerëve më të lartë të Federatës së boksit. Sa i takon ndeshjeve të ditës së parë, nuk ka patur shumë nivel në disa takime, madje në ndonjë prej tyre nuk është zhvilluar fare dueli për mosparaqitje të kundërshtarit apo dhe tërheqje gjatë ndeshje megjithatë ka patur edhe takime shumë të bukura.


Ka spikatur mbi të gjitha takimi i peshës 81 kg në mes kampionit shumëvjeçar Alban Barmeta të Tiranës dhe boksierit 19 vjeçar të Vllaznia Arjol Kajoshi. Një ndeshje që ka entuziasmuar të gjithë të pranishmit dhe ajo që ka rënë në sy ka qenë mënyra e boksimit të shkodranit i cili me shumë energji ka arritur të vërë në pozitë të vështirë kundërshtarin herëpashere, madje çarja në vetull e Barmetës në raundin e dytë do të ndikonte në fatin e ndeshjes dhe në fund ka qenë Kajoshi ai që me vendimin 2-1 të gjyqtarisë në favor të tij është shpallur fitues i kësaj ndeshje. Por nuk ka qenë thjesht fitorja e një ndeshje që ka entuziasmuar shkodranët. Ata, me këtë sukses e shohin gjithnjë e më afër tashmë fitimin e titullit të 20-të kampion. Përveç Kajoshit, kanë fituar edhe Shytani, Vashja e Demaj për Vllazninsë ndërkohë që nga sportistët e Tiranës e kanë mbyllur me fitore ditën e parë Xhameta, Merkohasanaj dhe Beqiri. Kjo do të thotë se rivaliteti në dy ditët e ardhshme do të jetë sërish shumë i fortë megjithatë, Vllaznia me fitoren e sotme të Kajoshit ndaj Barmetës i ka hedhur “dorashkën” Tiranës.
Ja rezultate e ndeshjeve të ditës së parë:
56 kg    Gëzim Jaku (Vllaznia)- Gëzim Xhameta (Tirana) 0-3
56 kg    Llambi Lamaj (Apolonia)- Krenar Zeneli (Flamurtari) 0-3
64 kg    Anxhelo Merkohasanaj (Tirana)– Pan Ndrevataj (Vllaznia) fiton Merkohasanaj me WO
64 kg    Elton Cenaj (Teuta)– Indrit Sokoli (Dinamo)    3-0
69 kg    Kristian Shytani (Vllaznia)– Stavrion Pali (Dinamo) fiton Shytani me WO
75 kg    Marjan Vashja (Vllaznia)– Ermal Pashja (Apolonia)    fiton Vashja me WO
75 kg    Elvis Xhafaj (Partizani)- Alban Beqiri (Tirana) fiton Beqiri me WO
81 kg    Alban Barmeta (Tirana)- Arjol Kajoshi (Vllaznia) 1-2
91 kg    Ardit Demaj (Apolonia)- Emanuel Kaçaj (Flamurtari) fiton Kaçaj me WO
91 kg    Kristian Demaj (Vllaznia)-Emiljano Xhediku (Dinamo)    3-0
——
Në fund të ditës së parë trajneri i Vllaznisë Zef Gjoni është shprehur i kënaqur me ecurinë e ndeshjeve dhe ka evidentuar mbi të gjitha fitoren e Kajoshit, një element shumë premtues për të ardhmen. Ndërkohë trajneri i Tiranës Sead Bushati nuk ka patur asnjë kundërshtim për ndeshjet e zhvilluara duke thënë se gjithçka ka qenë fair-play. Pikërisht kjo e fundit është konsideruar shumë e rëndësishme edhe nga presidenti i Federatës Florent Kalivopuli i cili ka përgëzuar edhe gjykimin e ndeshjeve duke theksuar se do të jetë i tillë edhe në dy ditët e tjera në mënyrë që fitues të shpallen më të mirët. Edhe nesër ndeshjet do të nisin në orën 17.00.
Gjergj KOLA