Elis Bakaj e pranon se ka kaluar dy nga vitet më të lumtura në karrierën e tij futbolliste në radhët e Shakhtor Soligorsk në Bjellorusi. Por tanimë kësaj eksperience i ka ardhur fundi dhe ai ka vendosur që t’i bashkohet Dinamo Brest, kampionëve të Bjellorusisë për të vazhduar me ta karrierën e tij. Një zgjedhje të cilën ai e ka treguar për “shahter.by” se nuk e ka bërë për qëllime monetare por se kishte një arsye shumë më të fortë.

“Soligorsk ishte një qytet i vogël, por në të jetojnë njerëz me zemër të madhe. Në shumë mënyra kjo është arsyeja pse luajta mirë, pasi nëse nuk të pëlqen një vend apo qyteti ku luan, nuk mund të japësh më të mirën”, tha lojtari i cili në 48 ndeshje ka shënuar 19 gola e dhënë 20 asiste me fanellën e kësaj skuadre.

Shumëkush mendonte se zgjedhja e Bakajt erdhi për arsye ekonomike, por ai tregon se ka qenë gjithçka plotësisht ndryshe që e ka shtyrë të bënte këtë lëvizje. “Po presim një bebe, ndaj dua të shkoj të shoh gruan time sa të mbarojmë ndeshjen e fundit në kampionat. Shpesh kam dëgjuar spekulime se jam larguar për para por kjo nuk është e vërtetë, pasi Shakhtor më ofroi një kontratë shumë të mirë për vitin e ardhshëm, diferenca mes ofertave është shumë e vogël.

Arsyeja kryesore është familja, dua të jem më afër tyre. Është më e shpejtë të kthehem në shtëpi nga Brest. Nga atje bëj 1 orë e gjysmë me makinë për në Varshavë dhe pastaj fluturim direkt në Bukuresht ku jeton familja ime.

Pastaj në të ardhmen dua që të marr me vete këtu gruan dhe fëmijën tim, ajo do që të jetojmë në një qytete të madh. Nuk po lëviz për para, apo se jam i pakënaqur këtu. Shpesh duhet të ndryshosh gjithçka për të mirën e familjes”, tha Bakaj,.

Te Brest ai do të rivalizojë me një emër shumë të njohur, Artem Milevskin i cili për shumë vite ka qenë organizatori në radhët e përfaqësueses së Ukrainës. “Është një lojtar i mirë, atje ka lojtarë të mirë, por do të jetë trajneri ai që do të vendosë se kush do të luajë dhe në çfarë pozicioni.

Nuk është shqetësimi im, pasi trajneri vendos. Ndoshta do të jem titullar, ndoshta në stol, ndoshta do më dërgojnë në tribunë me tifozët”, tha duke qeshur Bakaj për këtë sfidë të re në karrierë. /vipsport/