Misioni i Stambollit është padyshim më i rëndësishmi i karrierës së Simone Inzagit, por edhe më i rëndësishmi i Interit në dhjetë vitet e fundit. Mbërritja në finalen e Champions League ka qenë një arritje sa befasuese aq edhe e bukur për skuadrën italiane që tani do të përpiqet të kurorëzojë ëndrrën, sepse siç kanë pohuar njëzëri të gjithë protagonistët zikaltër: finalet nuk duhen luajtur, por duhen fituar.

Milanezët, ama, janë të vetëdijshëm se asgjë nuk do të jetë e lehtë me Mançester Sitin përballë, një nga ekipet më të mira në botë për momentin. Makinerinë perfekte të ndërtuar në vite të Pep Guardiolës, e ka bërë edhe më të frikshme Erling Haland, arma më vdekjeprurëse e “qytetarëve”. Është ndalja e tij një nga objektivat kryesorë të Inzagit dhe zikaltërve, që po studiojnë çdo lloj mënyre dhe rruge për të mos lejuar norvegjezin të dërgojë topin në rrjetë.

STRATEGJIA – Fiziku dhe shpejtësia që e karakterizon Halandin e bëjnë të konsiderohet 22-vjeçarin si një nga rreziqet më të mëdha për Interin në Milano. Për këtë fillimisht Inzagi do t’ia ngarkojë detyrën sigurisht repartit të mbrojtjes dhe konkretisht Françesko Açerbit, që do t’i besohet udhëheqja e skuadrës me vëmendje maniakale me trajnerin që po studion një kafaz për të izoluar gjigantin norvegjez. Të parën gjë që d otë kërkojnë të bëjnë zikaltrit është t’i heqin sulmuesit thellësinë, arsye për të cilën Interi me shumë mundësi do të provojë të ulë bariqendrën, duke formuar dy linja të ngushta dhe kompakte në kufijtë e zonës, për të mbrojtur portën e Onanës.

Kështu Interi mund të detyrojë Halandin të shkojë më shpesh drejt mesfushës për të kërkuar topin, me krahë nga porta, duke bërë që të bjerë në “kurthin zikaltër”. Pikërisht në mesfushë pritet të aktivizohet kafazi, me mesfushorin e qendrës (në këtë rast Brozoviçi) gati të dublojë mbulimin për Halandin. Me Açerbin që do të jetë hija e Halandit dhe kroatin për ta dyfishuar, do t’i takojë njërit mes mbrojtësve të krahut, Bastonit ose Darmianit, për të mbyllur trekëndëshin dhe për t’i ngushtuar hapësirat numrit 9 të Mançester Sitit.