Vllaznia pa trajner, është tashmë një situatë që më shumë se sa për kryeqytetin, për vetë Shkodrën krijon një zhurmë të njohur, pasi shton më shumë edhe axhendën intriguese që Albani mban pezull prej kaq kohësh.

Natyrisht zgjedhja e një trajneri nuk është njësoj me degustimin e shpejtë të një trileçe-je, apo konsumin e një tave krapi në Shirokë, por që gjithsesi Albani po tenton ta potencializojë si një moment që ka të bëjë me një moment që nuk duhet t’i ngjasë precedentëve ekseperimentalë me stolin.

Të cilat në fakt, këtë sezon I kishte pak të shpeshtë, por me kosto. Sezonin e shpëtoi Bylisi, ndërsa lëvizjet e gabuara në skakierë, të cilat pranohen edhe nga vetë stafi po çojnë tashmë në këtë “vonesë” për trajnerin e ri. Nuk besoj se Albani e ka lënë zyrtarizimin e emërimit të trajnerit deri në ditën e mandatimit të z.Benet nga KQZ.

Nuk di nëse e përfshin marëveshja para-elektorale këtë fakt, por gjithsesi Shkodra nuk ka trajner. Do e ketë shpejt, natyrisht, por tashmë vetë presidenti po merr kohën e duhur që të mos bëjë më autogolin e tij.

Importi I trajnerëve nga Tirana, apo edhe kontigjenti I huaj duket se e ka lodhur paksa, në një kohë që për momentin shanset nga Shkodra shkruajnë që Cungu e Martini janë opsione. Arsyet e refuzimit të Orges Shehit besoj se vlejnë për analizën e Albanit që ka premtuar që shumë shpejt do e bëjë.

Në anën tjetër produkti shkodran BIO I trainingut është ende stand-bye. Cungu është njohje e para disa viteve në Superiore, ka bërë mirë dikur me Kukësin, teksa Martini mbart histori suksesi me Durrësin si kampion, fitues kupe e superkupe, por edhe këtë sezon të këtij kampionati spektakolar.

E megjithatë, Albani e ka një arësye që po pret. Informacionet nga Shkodra bëjnë me dije që në rastin e Martinit pengesë është drejtor Plori. Nëse është e vërtetë është një idiotësi e madhe. Sepse në fund të fundit, interesi e një klubi e një qyteti duhet të prevalojnë mbi interesat apo kapriciot emotive të gjithkujt.

Peshë dhe vlerë merr qyteti, individët ikin e vijnë. Sidoqoftë, shpesh ndër vite vetë tifozët shkodranë me të drejtë ndoshta shpërthejnë në zemëratë për furnizimin e ekipeve me elementë shkodranë, teksa tani në aspektin e trainingut, prodhimin e tyre nuk e duan.

Megjithatë, Albani s’ka vendosur ende. Eksperimentet e kanë lodhur pafund në caktimin e emrave, por emrat aty I ka. Nuk besoj që po rezervohet nga…drejtori sportiv…Ndryshe do ishte katastrofë…