Orët e fundit tek Vllaznia ka dalë në skenë emri i Edi Martinit si kandidaturë për të zëvendësuar trajnerin që është larguar, Goce Sedloski. Megjithatë, burime të “Shkodra Sport” pranë teknikut shkodran kanë mësuar se Vllaznia nuk ka asnjë kontakt me ish-trajnerin e Teutës, Edi Martini.

Në fakt, si alternativë për zëvendësimin e Goce Sedloskit kanë dalë shumë emra dhe njëri prej tyre ka qenë edhe emri i Edi Martinit. Megjithatë, sipas burimeve të “Shkodra Sport” pranë Martinit, as nuk ka pasur diskutime me trajnerin shkodran dhe as nuk është arritur asnjë marrëveshje.

Kjo nuk nënkupton se shkodranët ndoshta nga ana e tyre nuk e kanë në radar Martinin, por për momentin nuk ka pasur asnjë bisedim dhe asnjë ofertë.

Në fakt, ideja për afrimin e Edi Martinit te Vllaznia po përforcohet gjithnjë e më shumë pas largimit të tij nga Teuta, por “Shkodra Sport” ka mësuar se ky largim nga durrsakët ka qenë i planifikuar të ndodhte prej kohësh sido që të ishte situata në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI