Në ndeshjen e djeshme Kastrioti- Teuta mesfushori shkodran Uendi Vecaj ka shënuar golin e katërt dhe të fundit të saj. Ka qenë një nga ato golat e zakonshëm të tij, me një gjuajtje nga jashtë zone me të majtën. Sigurisht që 21 vjeçari është parë të festojë gjatë këtë gol edhe sepse ka qenë goli i parë i tij me Teutën.

Vecaj ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport” ku ka folur jo vetëm për këtë gol por edhe për të ardhmen e tij duke kujtuar se është ende një futbollist i Dinamo Zagreb:

-Uendi urime për golin e parë me Teutën…

-Faleminderit. E vërtetë që mu desh shumë kohë që ta shënoja golin e parë me Teutën, por mbase erdhi në kohën e duhur sepse në këto momente po kaloj një formë të mirë.

-Keni kaluar momente të vështira mesa duket kohët e fundit apo jo?
-Jo, thjesht kam patur nevojë për më shumë minuta sepse u bë kohë që nuk luaj rregullisht. Goli ndaj Kastriotit shpresoj të ndikojë për mirë tek unë. Trajneri më dha shansin të jem në fushë dhe unë e shfrytëzova atë në mënyrën e duhur dhe shpresoj që ta mbaj sa më gjatë këtë moment.

-Dy sezonet e fundit keni kaluar shumë vështirësi, si e shikoni të ardhmen?
-Ndoshta ka ndikuar edhe fati por unë kam perspektivë për të ecur përpara. Të mos harrojmë se kam edhe dy vjet kontratë me Dinamo Zagreb. Kam ardhë tek Teuta për të fituar minuta sa më shumë.

-E quan të parakohshëm apo të gabuar transferimin para dy sezonesh tek Dinamo Zagreb?
-Si mund të quhet gabim një transferim i tillë tek Dinamo kur çdokush e ka ëndërr të shkojë atje. Por jo çdo gjë është në dorën e futbollistit për t’u aktivizuar sepse ka edhe gjëra të tjera që ndikojnë, si preferenca, fati e shumë gjëra të tjera.

-Si e shikoni të ardhmen tuaj, do të vazhdoni të luani edhe sezonin tjetër në kampionatin shqiptar apo do të largoheni?
-Me shumë gjasa mund të kthehem në Kroaci në fund të këtij sezonin por nëse ecuria ime këtu është e mirë, pse të mos qëndroj edhe një vit tjetër.
© shkodrasport.com