Egnatia luan sot një transfertë delikate ndaj Skënderbeut në stadiumin e Korçës, në orën 16:45. Në pankinën rrogozhinase debuton Zekerija Ramadani, i cili në vetëm dy ditë që ka pasur në dispozicion për të stërvitur skuadrën, më tepër ka punuar nga ana taktike për mënyrën se si do të rreshtohet skuadra në fushë.
Një pjesë të lojtarëve Ramadani i njeh mirë, pasi ka punuar në të kaluarën në skuadrat që ka drejtuar. Priten ndryshime në formacion, ndërkohë që ka dilema për aktivizimin e sulmuesit Pedro, i cili ka qenë i dëmtuar në dy javët e fundit.
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, kapiteni Ndriçim Shtubina, i cili luan sezonin e dytë me fanellën e Egnatias, u shpreh optimist për një rezultat pozitiv në transfertën e sotme. “Na pret një ndeshje shumë e vështirë në Korçë.
Vijmë nga një moment jo i mirë dhe duhet ta harrojmë këtë situatë. Duhet të jemi të gjithë bashkë për të kaluar këtë situatë. I kemi të gjitha mundësitë për t’u kthyer aty ku dëshirojmë. Besojmë shumë në forcat tona”, ka thënë fillimisht Shtubina. I ngacmuar për Skënderbeun, mesfushori me tipare sulmuese pranoi se diferencat janë të vogla. “Unë mendoj se kemi një skuadër me cilësi. Jemi një ekip që mund të mundim këdo.
Shpresoj të kemi një gjykim korrekt dhe të marrim një rezultat pozitiv. Sigurisht fitorja do të rriste besimin në skuadër. Meqë më jepet rasti, i uroj suksese trajnerit të ri. Besoj se gjërat do të shkojnë për mirë. Unë kam besim shumë që do të bëjmë kthesën”, deklaroi 34-vjeçari shkodran.