Në Abissnet Superiore, janë luajtur pesë javë kampionat deri më tani dhe tashmë dalëngadalë nisim të kemi më të qartë panoramën e ekipeve pretendente dhe e kundërta.

Skuadra e Vllaznisë ka arritur të fitojë tre nga pesë sfidat e para dhe të rregjistrojë nëntë pike në pesë javë. Një statistikë e thjeshtë tregon se, kuqeblutë kanë shënuar gjithsej pesë gola në këto pesë ndeshje të para dhe tre prej tyre i kanë shënuar në zhvillimet e aksioneve.

Tre prej golave të shënuar nga Vllaznia janë realizuar nga aksionet e ekipit. Fillimisht, shënonte Heriç dhe Marku në ndeshjen e javës së dytë ndaj Kukësit, të cilën skuadra e Josës e fitonte 2-1 dhe më pas, në ndeshjen e javës së pestë ndaj Kastriotit, ishte rradha e Hoxhajt të shënonte golin e vetëm të ndeshjes pas një topi të dhënë nga Mala.

Dy gola të tjerë të shënuar nga Vllaznia janë realizuar nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe nga zhvillimet e një goditjeje të ndaluar. Të dy këto gola kanë ardhur në ndeshjen me Tiranën, të cilën skuadra e Josës e fitonte 1-2 dhe fillimisht, shënonte Marku me penallti dhe më pas, në goditje të ndaluar, më saktë nga goditja e këndit, do të shënonte Kaina, me brazilianin që tundi rrjetën e Tiranës, që në atë gol nxorri blof gjithë mbrojtësit kundërshtar të bardhebluve, duke goditur saktë me kokë dhe mposhtur portierin Bekaj.

Megjithatë, vetëm pesë gola në pesë javë, është shumë pak për një skuadër si Vllaznia. Me siguri, stafin teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa, e shqetëson jo pak kjo statistikë.
Maringlen ZHIVANI