FAQJA E PARE KRYESOREE TRISHTË/ Ndahet nga jeta ish- futbollisti i Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare...

E TRISHTË/ Ndahet nga jeta ish- futbollisti i Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare Esat Bushati

Shkruar nga Gjergj KOLA

Pasditen e sotme futbolli shkodran ka humbur një nga emblemat e tij. Bëhet fjalë për ish- futbollistin e Vllaznisë, Parrtizanit dhe kombëtares shqiptare Esat Bushati i cili ka ndërruar jetë në moshën 97 vjeçare. Me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i shprehim ngushëllimet familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur!

Esati Ka lindur në Shkodër më 3.5.1929. Të 17 vitet e karrierës së tij natyrisht që kanë lënë gjurmë tek të gjithë. Esat Bushati, mbrojtësi i njohur i Vllaznisë së viteve ’50, ka dhënë jo pak për futbollin. Këtë lojë shumë të dashur për të, ai e nis që herët. E ndihmojnë për t’u marrë me futboll karakteristikat e tij fizike, shkruan www.shkodrasport.com

Esati do të fillonte të luante me ekipin e parë të Vllaznisë në vitin 1947, menjëherë pasi ajo kishte fituar dy tituj rradhazi në vitet 1945 dhe 1946. Edhe këtë vit kur ai debuton me fanellën kuqeblu, skuadra shkodrane do ishte pretendente për titullin kampion deri në ndeshjen e fundit.Bushati do të luante në repartin e mbrojtjes përkrah një emri të madh si Muhamet Dibra duke qenë një lojtar bazë deri në vitin 1949 kur thirret në ekipin e Partizanit.

Sigurisht që përvoja e marrë duke luajtur përkrah Dibrës, Gjeloshit, Osmanit, Gjonit e Cufjes, do ta ndihmonin shumë atë tek skuadra e kuqe. Prandaj ai nuk e pati të vështirë të luante përkrah Spahiut e Fagut e lojtarë të tjerë që ishin njëkohësisht përveçse më të mirët e Partizanit, edhe bërthama e përfaqësueses sonë, shkruan Gazeta “Shkodra Sport”.

Në këtë mënyrë, profili i tij si sportist cilësor plotësohet gjithnjë e më shumë. Luan përveç Vllaznisë dhe Partizanit edhe me Sportklub Tiranën si përforcim në disa ndeshje miqësore ndërkombëtare. Po ashtu, do ishte edhe pjesë e kombëtares sonë në ndeshjet miqësore që ajo zhvilloi këtë periudhë me Spartakun e Moskës, Levskin e Sofjes etj. Me Partizanin ka luajtur deri në vitin 1954 duke u aktivizuar si mbrojtës i djathtë.

Një nga karakteristikat kryesore që ka shoqëruar Esat Bushatin në karrierën e tij ka qenë edhe qëndrimi shumë korrekt dhe i disiplinuar si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Po ashtu, ai fitoi edhe respektin e futbollistëve më të mëdhenj në moshë sepse gjithnjë i respektonte ato.

Esat Bushati nuk ka pasë mundësinë të dilte jashtë vendit për të luajtur ndeshje ndërkombëtare për shkak të biografisë së keqe dhe luftës së klasave megjithatë mbeti një futbollist i nderuar nga të gjithë. Ka luajtur me Vllazninë deri në vitin 1960 teksa sërish ka luajtur si mbrojtës i djathtë. Mbetet një emer i respektuar i historise se futbollit shkodran.

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e premte. I përjetshëm qoftë kujtimi yt Esat Bushati. /www.shkodrasport.com/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments