Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia zbret këtë të premte në fushë me një objektiv të qartë: fitoren. Kuqeblutë do të presin Teutën në “Loro Boriçi”, në një përballje që vjen në një moment delikat për skuadrën shkodrane, e cila pas katër javëve të para të kampionatit ende nuk e ka provuar shijen e suksesit.
Pikërisht për këtë arsye, tri pikët ndaj durrsakëve duken thuajse të domosdoshme për Vllazninë. Një tjetër rezultat negativ do ta komplikonte edhe më shumë situatën në kampin kuqeblu dhe do ta bënte edhe më të vështirë nisjen e këtij sezoni, që deri tani ka qenë larg pritshmërive.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini kërkon të reagojë pas humbjes 2-0 ndaj Laçit, por edhe pas një serie rezultatesh që kanë sjellë jo pak shqetësim në radhët e ekipit dhe te tifozët. Në këtë pikë të kampionatit, çdo pikë merr një rëndësi të veçantë, ndërsa një fitore do të shërbente edhe për të rikthyer qetësinë dhe besimin.
Përballja me Teutën ka edhe një tjetër komponent, atë të rivalitetit të krijuar ndër vite mes dy skuadrave. Duelet Vllaznia-Teuta kanë prodhuar shpesh ndeshje të luftuara dhe me shumë rivalitet, çka i jep kësaj sfide një tjetër dimension përtej tri pikëve të kampionatit.
Në këtë situatë, pritet që edhe “Loro Boriçi” të japë mbështetjen e tij për skuadrën. Pavarësisht rezultateve negative dhe momentit të vështirë, tifozët shkodranë duket se janë të gatshëm të qëndrojnë pranë ekipit, duke kërkuar që kjo të jetë ndeshja e kthesës.
Vllaznia e di mirë se ndaj Teutës nuk mjafton vetëm dëshira për të fituar. Kuqeblutë duhet të tregojnë reagim në fushë dhe mbi të gjitha të shfrytëzojnë avantazhin e shtëpisë për të marrë tri pikët e para të sezonit. E premtja në “Loro Boriçi” pritet kështu të jetë një tjetër provë e rëndësishme për skuadrën shkodrane.


