Fitorja e Egnatias 1-0 në Kukës ishte një nga surprizat e javës së 9-të të “Abissnet Superiore”. Por ajo që mori një vëmendje të veçantë pas kësaj ndeshja ishte deklarata e trajnerit Shpëtim Duro, i cili theksoi se skuadra ishte e ndërtuar jo mirë. Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje ka reaguar drejtori sportiv i skuadrës rrogozhinase, Ndriçim Shtubina, i pranishëm në në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.

“Si fillim dua të falenderoj Tetovën për çfarë ka bërë aty, në stërvitje, në fazën përgatitore, por rezultatet na pengonin që të vazhdonte bashkëpunimi, ky është futbolli. Me Duron mendoj se kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë, por këtë do e vërtetojë fusha. Edhe unë kam dhënë mendimin tim për këtë zgjedhje”.

“Deklarata e Duros se skuadra është ndërtuar keq? Mendoj se është një deklaratë e nxituar, emocionale, nuk mendoj se skuadra është ndërtuar keq. Janë gjëra që do i zgjidhim brenda klubit. Kemi gabuar pak mendoj në zgjedhjen e lojtarëve. Unë e di se ku kam gabuar, por nuk do e them. Merkato? Nuk mendoj se do ketë ndonjë ndërhyrje të madhe, lojtarët janë aty”.

“Sfida e radhës, ajo me Partizanin? Është e njëjta skuadër, nuk është se ka ndryshuar. Por tashmë do të përgatitemi për një ndeshje tjetër, në krahasim nga ajo e fazës së parë”.

“Erzeni? Çdo skuadër ka treguar se kanë cilësi, por më shumë na shqetësojnë skuadrat që qëndrojnë në poshtë, do të jetë një kampionat shumë i forte”.