Vllaznia U-21 arriti të marrë një fitore të thellë me Apoloninë me rezultatin 5-1. Pas ndeshjes, në një prononcim për “Shkodra Sport”, trajneri Elvis Plori tha se ekipi i tij ishte superior në fushën e lojës ndaj fierakëve.

Plori u shpreh se është shumë i kënaqur nga skuadra, ndërsa theksoi se klubi Vllaznia i ka vendosur një vëmendje të veçantë pjesës së sulmit për prodhimin e lojtarëve. Për më tepër, ndiqni prononcimin e tij dhënë për “Shkodra Sport”.


Profesor, në pamje të parë duket një fitore e lehtë?

Po më vjen mirë se skuadra po shënon. Në dy javë kemi shënuar 10-gola dhe është diçka e mirë kur punon dhe kur ta shpërblejnë me të tilla rezultate. Mbi të gjitha ka ndryshuar edhe loja dhe në këto dy javë, jam shumë i kënaqur me skuadrën. Kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e fanellës, kanë filluar të kuptojnë se duhet të bëhet një futboll sulmues për të pasur kënaqësi dhe për të pasur dëshirë për të luajtur futboll. Sot ishte një kundërshtar si Apolonia që e vendosëm poshtë që në minutat e para dhe mendoj se futbollistët e zgjidhën shpejt dhe kjo ndikoi edhe te skuadra e Apolonisë.


Po shënojnë sulmuesit, është diçka e mirë kjo për skuadrën?

Tashmë, të gjithë komplet Akademia, U-21 dhe ekipi i parë duhet të jemi koshientë, sepse po vuajmë për sulmues dhe jemi duke punuar të gjithë së bashku, jo vetëm unë, por duke filluar që nga U-17, U-19 dhe U-21, në mënyrë të atillë që të çojmë sa më tepër futbollistë në vijën e parë të sulmit. Pra, është diçka që i kemi vendosur pak më tepër vëmendje pjesës së sulmit.

Vllaznia U-21 duket sikur ka ardhur duke rritur trendin e rezultateve, do vazhdojë ky trend?

Unë them se po. Tashmë, ato po fillojnë e marrin frytet e punës. Futbollistët që sot luajtën nuk është e thënë që vetëm me Vllazninë mund të luajnë, janë edhe futbollistë të tjerë që mund të luajnë futboll. Janë prodhim i Akademisë dhe nuk mund t’i hedhim në rrugë të madhe. Janë futbollistë, të cilët në të ardhmen, mund të bëhen pjesë e skuadrave të tjera në Shqipëri dhe pastaj mund të kthehen një ditë te Vllaznia.


Ndeshja e rradhës për Vllaznia U-21, objektiv fitorja dhe paraqitja e mirë?

Po, e kemi me Dinamon në transfertë. Unë them se skuadra duhet të luajë futboll, duhet të krijojë kaq shumë sa krijoi sot dhe jam shumë i kënaqur me mënyrën, të cilën po punojmë dhe mbi të gjitha, është kjo dhe pastaj vjen rezultati.
Maringlen ZHIVANI