Sfida e së shtunës me Skënderbeun është edhe më e vështirë se ajo me Luftëtarin megjithatë me një përkushtim maksimal të gjithë skuadrës, mund t’ia dalim per nje rezultat pozitiv. Kështu është shprehur njëri prej lojtarëve të Vllaznisë, pikërisht Ndriçim Shtubina i cili ka qenëi ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa.
“Skënderbeu ka një skuadër të mirë dhe u ka hapur punë të gjitha skuadrave, përfshi këtu edhe ato të kreut. Por ne, në qoftë se japim maksimumin, mund të arrijmë të marrim fitoren edhe ndaj tij. E kemi treguar këtë gjë edhe në fazën e parë në Shkodër, por edhe në Korçë në fazën e dytë ku kemi fituar sërish.
Vllaznia i ka forcat për të fituar edhe herën e tretë ndaj këtij kundërshtari. Pastaj është pjesë e futbollit për të parë nëse do ia dalim sepse mund të vendosine dhe gabimet e vogla në ndeshje. Na ka ndodhur edhe më parë që i kemi humbur ndeshjet për diçka shumë të vogël”- ka thënë ai.
Në këtë të fundit, në fakt ka qenë supegoli i tij që i dha fitoren kuqebluve. I pyetur nëse do të dëshironte të shënonte edhe të shtunën, ai përgjigjet: “Sigurisht që do ta dëshiroja një gjë të tillë, por në fakt më i gëzuar, e them sinqerisht, që do të isha nëse Vllaznia do ta fitonte këtë ndeshje sepse nuk është pozicioni i saj për t’u kënaqur me kaq.
Nga eksperienca ime, të rëndësishme janë pikët. Dëshirën e kam për të shënuar, por nëse do shënoja sërish dhe do të fitonim, kënaqësia do të ishte edhe më e madhe”.
www.shkodrasport.com