Ka shënuar të parin gol në miqësoren e djeshme ndaj Strugës dhe i ka hapur rrugë fitores 2-0 të Vllaznisë. Ndriçim Shtubina vazhdon të tregojë se është një lojtar i rëndësishëm për këtë ekip dhe gjithnjë mundohet të japë maksimumin për të.

Futbollisti shkodran në një prononcim për mediat ka folur për qëndrimin në Ohër, merkaton dhe gjysmën e dytë të sezonit. Një periudhë të dobishme e ka cilësuar futbollisti Ndriçim Shtubina fazën përgatitore dimërore që Vllanzia po zhvillon në Ohër të Maqedoninë e Veriut.

“Faza përgatitore që po zhvillojmë në Ohër po shkon mirë. Ngarkesat fizike po i marrim maksimalisht, dëmtime nuk kemi patur dhe shpresoj që të vazhdojmë me këto ritme sepse kampionati fillon shpejt dhe nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet ta kapim formën e duhur sa më shpejt”- ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për largimet dhe afrimet gjatë merkatos së dimrit. Duke folur posaçërisht për RTSH, 32-vjeçari është optimist për gjysmën e dytë të sezonit.

“Janë larguar disa lojtarë që nuk kanë patur mundësi të luajnë dhe nuk kanë patur minuta ndërkohë që kanë ardhur disa lojtarë të rinj që po mundohen të kapin ritmin e ekipit dhe shpresoj që të na ndihmojnë në të ardhmen”- ka deklaruar Shtubina.

Shkodrani është i ndërgjegjshëm për mangësitë e Vllaznisë ne fazën e parë. Shtunina nuk pranon të flasë për objektiva, duke ia lënë gjithçka fushës së blertë, por mbetet optimist për formën që ka shpalosur skuadra.”Vllaznia në gjysmën e parë të sezonti ka vuajtur pak tek finalizimi, jo se nuk kemi patur raste.

Sa i takon objektivave, në fakt kur i përmendim ato, shpeshherë gabojmë. Kështu që më mirë është mos me pasë objektiv të kaluar sepse në Shkodër është edhe presioni i tifozëve dhe prandaj më mirë që skuadra të qëndrojë e qetë sepse kur ka ndodhur kështu, kemi marrë edhe pikët maksimale”- e ka mbyllur prononcimin e tij Shtubina.
www.shkodrasport.com