Vllaznia ka luajtur dy ndeshje miqësore ditët e fundit të cilat po i shërbejnë stafit teknik për të parë gjendjen e secilit futbollist por edhe për të aplikuar vendosje të reja në skemat e lojës që mund t’i përdorin pastaj edhe në ndeshjet zyrtare.

Ajo që ka rënë në sy në të dy këto takime, ka qenë një vendosje e re e Erdenis Gurishtës. Lojtari të cilin jemi mësuar ta shohim në krahun e djathtë të mbrojtjes, pse jo edhe në të majtin, apo në ndonjë ndeshje të veçantë, edhe në rolin e stoperit, tani po përdoret si mesfushor nga ana e trajnerit Jonuz.

Në ndeshjen ndaj Pogradecit, mbrojtja ka qenë e përbërë nga Gligorov, Shehi, Malota e Marku, ndërsa Gurishta pra ka formuar bashkë me Ramadanin “digën” para mbrojtjes.

Dje në takimin ndaj Strugës, prapavija ka patur nga minuta e parë katërshen Lekaj, Shehi, Adili e Marku, ndërsa përpara mbrojtjes ka qenë sërish Gurishta, por këtë herë me Krymin.

Këto lëvizje duket se po i paraprijnë një vendosje ndryshe të skuadrës në ndeshjet e ardhshme. Trajneri duke parë ndoshta që Krymi e Ramadani kanë të njëjtat tipare loje, duket se ka ndër mend të luajë me njërin prej tyre, ndërkohë që i dyti mund të jetë Gurishta që merr më shumë inisiativa.

Gjithsesi këto janë thjesht hipoteza sepse prandaj zhvillohen këto ndeshje miqësore, për të parë mundësi vendosje e skema të ndryshme duke kërkuar të marrin më të mirën prej secilit lojtar.
© shkodrasport.com