Shkruar nga Gjergj KOLA
Basania po bëhet gati për startin e përgatitjeve të sezonit të ri. Gjërat duken në rrugën e duhur dhe sakaq është caktuar edhe data se kur skuadra do të zbresë në fushën e stërvitjes. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se pas bisedës që trajneri Arbër Shytani ka patur me drejtuesit e klubit, është caktuar e hëna e ardhshme për zhvillimin e seancës së parë.
Nga ana tjetër vërtetë lojtarët duken ende me pushime, por ndërkohë drejtuesit dhe trajneri kanë një javë intensive përpara. Ata po bisedojnë me lojtarët që mendohet të formojnë skuadrën për sezonin e ri.
Burime pranë klubit të Basanias bëjnë të ditur se nga kontigjenti i vjetshëm është menduar të qëndrojnë një pjesë e lojtarëve, ndërkohë që po bisedohet edhe me të tjerë dhe ideja është për të patur një organikë të bollshme dhe me alternativa për stafin teknik.
Sa i takon synimeve që ky ekip ka për sezonin e ri, siç u shpreh edhe trajneri Shytani në prononcimin e dhënë për Gazetën tonë, Basania do të mbështetet te lojtarët me ambicie për t’u rritur dhe për të ecur përpara. Çka do të thotë se fokusi kryesor do të jetë i përqendruar kryesisht tek lojtarët e rinj.
Afrimi në rolin e bashkëpunëtorit edhe i menaxherit të njohur shkodran Benardin Kulla i cili do të jetë përkrah presidentit Ermir Shimaj, padyshim që i ka dhënë edhe më shumë entuziasëm skuadrës dhe mendohet që në sezonin e ri Basania të jetë krejt ndryshe nga organizimi, rezultatet e shumë gjëra të tjera.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


