Shtohen zërat, veçanërisht në Danimarkë, që kërkojnë nga Christian Eriksen të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur, pas problemeve kardiake që hasi për herë të dytë gjatë miqësores kundër Ukrainës në Odense.
Mesfushori që aktualisht është nën kontratë me Wolfsburg, është shpëtuar nga ndërhyrja e mjekëve dhe defibrilatori që iu vendos 5 vite më parë, pas arrestit të parë kardiak në Euro 2020. Edhe pse lojtari është në gjendje stabël, episodi ka tronditur opinionin publik dhe ambientin sportiv danez.
Mes reagimeve më të forta është ai i ish-lojtarit të kombëtares daneze, Thomas Gravesen, tani opinionist televiziv. Ai e ka këshilluar publikisht bashkombasin të “varë këpucët në gozhdë” për të mirën e tij dhe të familjes.
Gravesen ka vënë në dukje stresin e fortë që ka kaluar bashkëshortja e Eriksen, Sabrina Kvist Jensen, duke zbritur në fushë për të qenë pranë bashkëshortit, në të dy rastet përpara dy fëmijëve të tyre. “Tani flitet për jetën, jo për karrierën apo futbollin. Nuk ka të bëjë fare me një karrierë, bëhet fjalë për jetën.
Eriksen në çfarë situate po i vendos gruan dhe fëmijët? Nuk mund të mendosh vetëm për veten, kur ke një familje. Futbolli është një gjë pa rëndësi, kur ndodh diçka e kësaj natyre. Duhet ta lërë futbollin”, – ka thënë ish-lojtari i Real Madrid.


